Zyra e Rregullatorit për Energji, nëpërmjet një komunikate për media, ka pranuar se ka reaguar se kompania Energy Financing Team AG (EFT) i Vuk Hamoviçit, është i licencuar nga kjo zyre nga vitit 2021.
ZRRE ka theksuar se procesi i licencimit të subjekteve energjetike bazohet ekskluzivisht në kritere të qarta ligjore dhe rregullative dhe nuk ndikohet nga akterë jashtë kornizës institucionale. ZRRE ka sqaruar se kompania EFT ka qenë e licencuar për furnizim me shumicë të energjisë elektrike nga viti 2006 deri në vitin 2012.
Po ashtu, sipas ZRRE-së, kompania në fjalë është e licencuar për të njëjtin aktivitet nga viti 2016 deri në vitin 2021 dhe më pas nga viti 2021 deri në vitin 2026, gjithmonë në përputhje me kornizën ligjore në fuqi.
ZRRE ka paralajmëruar se përpjekjet për ta paraqitur ndryshe këtë proces mund të krijojnë paqartësi në publik dhe të dëmtojnë besimin në institucionet e pavarura dhe stabilitetin e tregut të energjisë elektrike. Deklaratat e tilla, sipas saj, janë të papërgjegjshme dhe të dëmshme për interesin publik.
Në fund, ZRRE ka ritheksuar se është institucion i pavarur kushtetues dhe ligjor, duke vlerësuar se çdo tentativë për ndikim në vendimmarrjet rregullative përbën shkelje serioze të parimit të pavarësisë së rregullatorit, cenon sundimin e ligjit dhe rrezikon përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.
Ndryshe ditë më parë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka mohuar pretendimet për blerjen e energjisë elektrike nga kompania EFT e Vuk Hamoviçit.
Kurti theksoi se Kosova nuk blen energji nga EFT-ja dhe se Hamoviç “nuk fiton fare në Kosovë”. Ai tha se nuk ka dijeni për kompaninë shqiptare “NOA Energy Trade”.
“EFT-ja nuk fiton fare në Kosovë. Vuk Hamoviçi nuk fiton në Kosovë. Nëse këtu ka diçka minore që është bërë me një kompani nga Shqipëria, le të kërkohet atje përgjigja”, tha Kurti.
