Lista Serbe po akuzohet për shkelje të Rregullores Zgjedhore Nr. 07/2024 gjatë ditës së votimit në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, ku sipas raportimeve po ftohen simpatizantë të grumbullohen para zyrave të partisë në kohën kur është në fuqi heshtja zgjedhore.
Sipas rregullores së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Neni 8 përcakton qartë se nga momenti i hapjes së qendrave të votimit deri në mbylljen e tyre ndalohet mbajtja e aktiviteteve të fushatës dhe grumbullimi i zyrtarëve të subjekteve politike në afërsi të vendvotimeve. Kjo për të garantuar proces zgjedhor të qetë, pa presion dhe pa ndikim mbi votuesit.
Përmes thirrjeve publike për mobilizim para zyrave partiake në Mitrovicë të Veriut dhe komuna të tjera veriore, Lista Serbe po akuzohet se po e shkel këtë dispozitë ligjore, në kundërshtim me rregulloren në fuqi.
Janë bërë thirrje që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Prokuroria dhe Policia e Kosovës të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore për të garantuar respektimin e rregullave zgjedhore.
Gjatë kësaj fushate zgjedhore, Lista Serbe tashmë ishte gjobitur me 30 mijë euro, pas një ankese të paraqitur nga një subjekt tjetër politik serb në veri, për shkelje të mëparshme të ligjit gjatë procesit parazgjedhor.
Institucionet përgjegjëse pritet të vlerësojnë situatën dhe të vendosin nëse do të ndërmerren masa të mëtejshme.
