Zëvendësdrejtori në Agjencinë për Administratë Muhamed Krasniqi: Shtet multietnik, administratë selektive, Pse Lista e Shangait po vendos fatin e qytetarëve?

Zëvendësdrejtor në Agjencinë për Administratë

Si u normalizua përjashtimi përmes procedurës dhe u zhvlerësua dija në gjuhën shqipe

Si dikush që e ka parë nga afër mënyrën se si funksionon punësimi në administratën publike, e di se padrejtësitë më të mëdha nuk ndodhin me zhurmë. Ato ndodhin në heshtje, në procedura formale, në tabela koeficientesh dhe në nene ligjore që lexohen rrallë, por që zbatohen çdo ditë. Pikërisht aty, larg vëmendjes së publikut, është ndërtuar një mekanizëm që nuk është aty për të matur dijet dhe aftësitë, por për të prodhuar përjashtim të qëndrueshëm. Pabarazia në administratën publike në Maqedoninë e Veriut është një nga këto padrejtësi të heshtura. Kjo pabarazi nuk është as rastësi dhe as gabim teknik. Ajo është rezultat i një zgjedhjeje të gabuar që po përsëritet prej vitesh, edhe pse pasojat e saj janë të dukshme. Në vend që administrata të ndërtohet mbi njohuri, përvojë dhe integritet profesional, është krijuar një sistem që i ndan njerëzit në të pranueshëm dhe të papranueshëm.

Problemi lidhet me mënyrën se si zbatohet Ligji për nëpunësit administrativë, konkretisht neni 32, paragrafi 3. Ky ligj është miratuar në vitin 2014 dhe ka hyrë në fuqi në vitin 2015. Që nga ajo kohë, kanë kaluar vite të tëra, gjatë të cilave barazia është përmendur pafund, ndërsa kjo padrejtësi është lënë të funksionojë pa u prekur. Një problem i njohur është toleruar në heshtje, derisa u shndërrua në normalitet administrativ.Është e rëndësishme të thuhet hapur se kjo pabarazi nuk buron nga ndonjë detyrim kushtetues ose nga ndonjë standard evropian. Koeficientët e diplomave janë përcaktuar me dekret qeveritar. Me fjalë të thjeshta, kjo është një zgjedhje administrative, ndërsa çdo zgjedhje e tillë është e korrigjueshme brenda kornizës ekzistuese institucionale.

Në emër të një cilësie të keqkuptuar, administrata publike është lidhur me renditje ndërkombëtare universitetesh. Ky model nuk zbatohet nga asnjë vend i rajonit. Askund në Kosovë, Shqipëri, Bosnje e Hercegovinë, Mal të Zi apo Serbi nuk vendoset e ardhmja profesionale e një kandidati mbi bazën e listave globale. Atje vlerësohet diploma e akredituar dhe njohuritë testohen drejtpërdrejt. Vetëm tek ne u mendua se tabelat ndërkombëtare mund ta zëvendësojnë gjykimin profesional. Kështu, lidhja e koeficientëve me Listën e Shangait ka prodhuar situata absurde. Diploma nga universitete të njohura dhe të akredituara zhvlerësohen automatikisht, jo për shkak të mungesës së dijes, por sepse nuk ndodhen në një listë elitare që ndryshon çdo vit. Vlera e një diplome mund të ndryshojë pasi studenti ka përfunduar studimet. Një sistem i tillë nuk ofron siguri dhe nuk garanton drejtësi.

Pasojat janë reale dhe thellësisht njerëzore. Për dekada, shqiptarët kanë studiuar në gjuhën shqipe, në universitete vendore dhe rajonale. Diploma të marra në Universitetin e Tetovës, në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, si dhe në universitete në Tiranë dhe në Prishtinë, janë të akredituara dhe ligjërisht të vlefshme. Megjithatë, në praktikë ato trajtohen si më pak të vlefshme. Kjo nuk është rastësi individuale, por përjashtim strukturor: një mesazh i heshtur se dija e fituar në gjuhën shqipe vlen më pak, pavarësisht se është prodhuar brenda sistemit arsimor të vetë shtetit.

Asnjë shtet që e merr seriozisht veten si shtet multietnik nuk e ndërton administratën mbi mekanizma që prodhojnë përjashtim. Administrata ndërtohet mbi kompetencë, përvojë dhe ndershmëri profesionale. Çdo gjë tjetër është justifikim për ta ruajtur një gjendje që dihet se është e gabuar.

Që të korrigjohet ky diskriminim dhe të vendosim standarde të njëjta për të gjithë, zgjidhja është më e thjeshtë sesa pretendohet – të hiqet kriteri i listave ndërkombëtare dhe kështu të trajtohen në mënyrë të barabartë të gjitha diplomat e akredituara,të vlerësohet niveli i studimeve, ndërsa përzgjedhja reale të bazohet në provime dhe intervista. Meqenëse gjithçka përcaktohet me dekret qeveritar, pengesa nuk është juridike, por politike. Ndërsa për tejkalimin e pengesave politike kërkohet vetëm vullnet politik dhe asgjë tjetër.

Administrata publike nuk mund të quhet meritore nëse prodhon pabarazi. Kur një zgjidhje ligjore cenon barazinë, ajo nuk ruhet për hir të zakonit ose komoditetit institucional. Ajo ndryshohet. Kjo nuk është çështje privilegji. Është çështje drejtësie dhe çështje e funksionimit normal të shtetit.

REKLAMË

REKLAMË

lajmet e fundit

Si u shit Struga nga skuthi Merko dhe vredistët?

Në ditën e fundit të vitit që lamë pas, mori fund loja politike mes komitëve të VMRO-së së Strugës, degës së VREDI-t dhe Listës...

Kosova🇽🇰 pranon sistemet raketore anti-tank – Turk🇹🇷 OMTAS, Maqedonci ndan detaje

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se sot Kosova ka pranuar dërgesën e radhës të sistemeve raketore anti-tank OMTAS. Ky sistem u kontraktua me...

Publiku vendos: Edi eliminohet nga shtëpia e BBVK4

Banori Edi Kuçi, nuk është më pjesë e Big Brother VIP Kosova 4. Kështu vendosën shikuesit të cilët votuan që me 65 përqind të votave...

Si u kap Maduro: Nga bastisja në dhomën e gjumit te nxjerrja me helikopter, operacioni që zgjati 46 sekonda

Operacioni sekret për kapjen e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, i quajtur “Maduro Out”, ka nisur që në verën e kaluar, kur Donald Trump...

Demiri: Do t’ia gjejmë punës njeriun, e jo njeriut punën

Vrapçisht, 5 janar – Kandidati i pavarur për kryetar të Komunës së Vrapçishtit, Zulhajrat Demiri, vazhdon me shpalosjen e programit të tij parazgjedhor, duke...

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu