Koalicioni VLEN ka reaguar pas disa shkrimeve mediale që pretendonin se është anuluar procedura e prokurimit për fazën e tretë të projektit “Sheshi Skënderbeu”, që përfshin parkingun nëntokësor. Në një deklaratë për opinionin publik, VLEN thekson se bëhet fjalë vetëm për një “anulim teknik” dhe jo për anulim të projektit.
“Dëshirojmë t’i sqarojmë opinionit publik se bëhet fjalë ekskluzivisht për arsye teknike të vërejtura në dokumentacionin e tenderit,” thuhet në reagimin e nënshkruar nga Kaltrina Zekolli Shaqiri. Sipas saj, gjatë verifikimit zyrtar janë konstatuar “mospërputhje dhe gabime të trashëguara në përllogaritje, të cilat kërkojnë korrigjim para vazhdimit të procedurës, me qëllim sigurimin e transparencës dhe respektimit të plotë të ligjit”.
VLEN garanton se projekti nuk është ndalur dhe se procedura do të vazhdojë normalisht pasi të përmirësohet dokumentacioni. “Është marrë vendimi për anulim teknik të procedurës, që nënkupton përmirësimin e dokumentacionit dhe rihapjen e tenderit,” thuhet në reagim.
Në fund, Zekolli Shaqiri thekson se projekti mbetet prioritet dhe se “procedura e prokurimit do të hapet sërish në ditët në vijim, ndërsa korrigjimet teknike synojnë të garantojnë një proces profesional dhe të qëndrueshëm”.
