Vëllai i Liridona Ademajt, Leonard Ademaj, ka folur pas seancës së mbajtur sot në rastin ndaj tre të akuzuarve Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, të akuzuar për vrasjen e motrës së tij.
Ai tha se seanca ishte tejet e rëndë emocionalisht, pasi gjatë saj u shfaqën pamjet e fundit të jetës së Liridonës.
Sipas tij, nga provat e paraqitura u dëshmua qartë se vrasja ishte e planifikuar mirë dhe se e gjithë ngjarja kishte zgjatur vetëm shtatë minuta, raporton Klankosova.tv.
“Sot për ne nuk ishte një ditë e lehtë pasi që i pamë edhe videot e fundit të jetës së motrës sonë. Pra, ajo se çfarë pamë në video sot ishte që tre të akuzuarit e kanë planifikuar mirë vrasjen, pasi që e gjithë ngjarja ka ndodhur vetëm për 7 minuta. Pra nuk ishte një vrasje e pa planifikuar, por ishte e planifikuar mirë nga tre të akuzuarit.
Pra ajo se çfarë pamë sot në këto pamje e qartësojnë mirë se Naimi së bashku me Kushtrimin janë organizatorët e vrasjes, ndërsa vrasësi i motrës sonë është Granit Plava”, deklaroi ai para mediave.
Ai paralajmëroi se familja do t’i drejtohet sërish gjykatës me kërkesë që të lejohet elaborimi i provave, duke vlerësuar se përmes tyre do të dëshmohet edhe më qartë, sipas tij, organizimi profesional i grupit për vrasjen e Liridona Ademajt.
“Ajo se çfarë na brengosi sot ishte moslejimi i elaborimit të provave nga ana jonë. Pra ky elaborim i provave për ne është jetësor sepse e qartëson edhe më mirë rolin kyç të Kushtrim Kokallës, bashkëpunimin së bashku me Naimin dhe rrugëtimin e tyre.
Pra ne do të kërkojmë përsëri nga gjykata që t’i elaborojmë provat sepse është e drejtë jetike, mendoj që me ato prova të cilat ne i kemi dhe që mendojmë që duhet të dalin, qartësohet edhe më mirë grupi i tyre i organizuar në mënyrë profesionale për vrasjen e motrës sonë”, tha Ademaj. /Klankosova.tv
