Trumpi synon qendra të rafinimit të mineraleve në bazat ushtarake të Pentagonit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, synon që të ndërtojë qendra për rafinimin e metaleve në bazat ushtarake të Pentagonit si pjesë e planit të tij për ta rritur prodhimin vendës të mineraleve kritike dhe për ta baraspeshuar ndikimin e Kinës në këtë sektor, i thanë agjencisë së lajmeve “Reuters”.

Kjo lëvizje është njëra nga disa veprimet e planifikuara për një urdhër ekzekutiv që presidenti mund ta nënshkruajë jo më larg se të mërkurën, pasi ai tha para kongresistëve amerikanë javën e kaluar se “do të ndërmarrë veprim historik për ta zgjeruar në masë dramatike prodhimin e mineraleve kritike dhe atyre të rralla këtu në ShBA”, raporton agjencia “Reuters”.

Si pjesë e urdhrit, Pentagoni do të punonte me agjenci të tjera federale për t’i instaluar qendrat e përpunimit në bazat e tij, sipas burimeve, të cilat nuk ishin të autorizuara për të folur publikisht rreth këtyre planeve.

Shfrytëzimi i bazave ushtarake për përpunim do ta nënvizonte rëndësinë që Trumpi po ua jep mineraleve kritike për sigurinë kombëtare. Aeroplanë luftarakë, nëndetëse, plumba e lloje të tjera të armatimit që përdoren nga ushtria amerikane janë të prodhuara me minerala të përpunuara nga Kina, përcjell gazeta “Nacionale”.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë gjithashtu planifikon që të emërojë një shef për minerale kritike, në mënyrë të ngjashme si me hapat që presidentët e mëparshëm i kishin bërë për ta bashkërenduar fokusin e Uashingtonit në fusha të tjera, sipas njërit prej burimeve. Planet janë duke u diskutuar dhe mund të ndryshojnë para se Trumpi ta nënshkruajë urdhrin, shtuan burimet.

Disa zyrtarë të administratës së Trumpit janë trembur nga shenjat fillestare se Kina mund t’i kufizojë eksportet e mineraleve kritike si pjesë e hakmarrjes së saj për taksat e Trumpit ose për arsye të tjera, sipas një personi të afërt me qëndrimet e tyre.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Shteteve të Bashkuara nuk iu përgjigj kërkesave për koment.

Pasi Pentagoni kontrollon mbi 12 milionë hektarë tokë, me këtë plan do të sigurohej hapësirë për objektet për rafinimin e mineraleve, duke e shmangur kundërthënien që nganjëherë shfaqet në komunitete lokale. Me këtë plan gjithashtu do të shmangej nevoja për të blerë tokë si dhe nevoja për të shfrytëzuar toka që kontrollohen nga departamente të tjera federale.

Kina është prodhuesja kryesore globale e 30 nga 50 mineralet që konsiderohen si kritike nga Vëzhguesi Gjeologjik i ShBA-së.

Nuk është e qartë se si do të mund të funksiononte nga këndvështrimi i rregullatorëve plani i Trumpit për qendrat e rafinimit në bazat e Pentagonit, pasi Akti për Ajër të Pastër dhe Akti për Ujë të Pastër prapëseprapë do të vlenin edhe në bazat e Pentagonit dhe këto rregullore në të kaluarën e kanë penguar zhvillimin privat të projekteve për përpunim./Nacionale/Nasuf Abdyli

REKLAMË

REKLAMË

lajmet e fundit

Albana Koçiu: Në Tetovë, një takim i veçantë me Ali Ahmetin, mik i vjetër dhe një zë që gjithmonë e ka Shqipërinë në zemër

Ministreja e Punëve të Brendëshme të Shqopërisë, Albana Koçiu përmes një postimi në profilin e saj ka ngritur lartë figurën e liderit të BDI-së,...

Sela braktis AKI-n edhe në Saraj, këshilltari Raufi do të veproj i pavarur

Këshilltari i Selës në komunën e Sarajit Rauf Sulejmani, i cili deri më tani ishte pjesë e Aleancës për Shqiptarët të udhëhqur nga Ziadin...

Edi Rama pritet nga Patriarku i Jeruzalemit -Teofili III, vlerësohet dialogu ndërfetar dhe dekorohen lidhjet historike

Kryeministri i Shqipëria, Edi Rama, u prit të martën në Jerusalem nga Patriarku Teofili III, Patriarku i Jerusalemit, në kuadër të vizitës së tij...

Naim Bajrami: Veprimi im si këshilltar i pavarur është në përputhje të plotë me qëndrimet e ASH-së

Këshilltari i Qytetit të Shkupit, Naim Bajrami, ka reaguar publikisht për herë të parë lidhur me statusin e tij politik, duke sqaruar se veprimi...

Vagoni që bllokon rrugën drejt Brukselit!

Nga:Medai Shaholli Vagoni i bllokuar dhe i braktisur në Stacionin Hekurudhor në Shkup, ka ngelur si relikt i së kaluarës dhe nuk ecën më mbi...

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu