Presidenti Donald Trump tha të shtunën se embargoja amerikane ndaj naftës venezueliane mbetet në fuqi pas kapjes së Nicolás Maduro dhe shtoi se kompani gjigante amerikane të naftës do të investojnë miliarda dollarë në infrastrukturën e shkatërruar në Venezuelë, ndërsa dha një paralajmërim të ashpër për figurat e tjera politike dhe ushtarake të lidhura me regjimin.
Trump u tha gazetarëve në resortin e tij Mar-a-Lago në Florida se Shtetet e Bashkuara po mbajnë presion ekonomik dhe ushtarak mbi Venezuelën ndërsa vlerëson hapat e mëtejshëm.
“Shumë e rëndësishme është që embargoja ndaj të gjithë naftës venezueliane të mbetet në fuqi të plotë. Armata amerikane mbetet e vendosur në pozicion dhe Shtetet e Bashkuara mbajnë të gjitha opsionet ushtarake derisa kërkesat e Shteteve të Bashkuara të jenë përmbushur plotësisht”, tha presidenti.
Trump gjithashtu lëshoi një paralajmërim të drejtpërdrejtë për udhëheqësit e lidhur me Maduron.
“Të gjitha figurat politike dhe ushtarake në Venezuelë duhet të kuptojnë se ajo që i ndodhi Maduros mund t’u ndodhë atyre që mundohen të ndjekin gjurmët e tij”, tha ai.
Trump tha se largimi i Maduros shënoi një pikë kthese për vendin.
“Diktatori dhe terroristi, Maduro, më në fund është zhdukur nga Venezuela. Njerëzit janë të lirë. Ata janë përsëri të lirë. Ka kaluar shumë kohë për ta, por janë të lirë më në fund”, tha ai.
