Një gjeneratë e re e nacionalistëve serbë po përgatitet për një konflikt të ri në Bosnjë, paralajmëron mediumi britanik The Telegraph. Sipas raportimit, qindra militantë serbë kanë udhëtuar drejt Ukrainës për të luftuar përkrah forcave ruse, me bindjen se “Nënë Rusia” do t’i shpërblejë duke i ndihmuar të rikthejnë territore të humbura, përfshirë Kosovën.
Veteranë të luftërave të viteve ’90 dhe ekstremistë nacionalistë po i përdorin rrjetet sociale për të rekrutuar të rinj serbë të pakënaqur, duke ofruar deri në 23 mijë funte për t’u bashkuar në luftë. Ekziston frikë serioze se, pas kthimit në Bosnjë, këta luftëtarë mund të ndezin tensione paramilitare, 30 vjet pas përfundimit të luftës.
Rasti i Dario Ristiq, i plagosur në Ukrainë dhe i kthyer në Bosnjë pas luftimit në njësitë ruse, përmendet si shembull shqetësues i radikalizimit dhe rekrutimit online. Edhe pse u arrestua në Sarajevë, ai aktualisht ndodhet në arrest shtëpiak dhe konsiderohet rrezik për shkak të ndikimit të tij në rrjetet sociale.
Raporti thekson gjithashtu rolin e figurave të njohura paramilitare, lidhjet me strukturat ruse të sigurisë dhe shqetësimet se Republika Srpska mund të shndërrohet në terren trajnimi për aktivitete destabilizuese, jo vetëm për Ballkanin, por edhe për sigurinë e Evropës Perëndimore.
