Autoritetet talibane në Afganistan kanë vendosur masa më të rrepta ndaj berberëve, duke paralajmëruar se ata që rruajnë mjekrat e burrave ose realizojnë modele flokësh në “stil perëndimor” mund të përfundojnë në burg.
Sipas rregullave të reja, shkelësit rrezikojnë dënime deri në 15 muaj burg dhe do të dalin para organeve gjyqësore talibane, në përputhje me ligjin për “promovimin e virtytit dhe parandalimin e vesit”, raporton gazeta britanike The Telegraph.
Edhe pse rruajtja e mjekrës ka qenë e ndaluar edhe më herët, deri tani nuk shoqërohej me dënime me burg. Banorët flasin për një klimë frike, duke pohuar se persona janë ndaluar dhe rrahur për shkak të pamjes së tyre. Në provincën Balkh, një student u rrah sepse kishte flokë të shkurtër anash dhe më të gjatë sipër, ndërsa talibanët ia prenë flokët për ta poshtëruar.
Berberët thonë se kërcënimet e reja po u rrezikojnë seriozisht jetesën. Disa klientë kërkojnë t’i presin flokët në shtëpi, por edhe kjo shihet si e rrezikshme. Sipas tyre, të ardhurat kanë rënë deri në 70 për qind dhe shumë dyqane mund të mbyllen.
Si dëshmi se masat po zbatohen, javën e kaluar në provincën Parvan u ndaluan tetë berberë për rruajtje ose stilizim të mjekrave. Punishtet e tyre u mbyllën, ndërsa familjet u njoftuan se ata do të mbahen në paraburgim për një muaj.
