Tajlanda kryen sulme ajrore ndaj Kamboxhias pas përleshjeve në kufi

Tajlanda ka kryer sulme ajrore ndaj Kamboxhias fqinje më 8 dhjetor, tha ushtria e shtetit, teksa të dyja palët kanë këmbyer akuza për shpërthimin e fundit të luftimeve në kufirin e kontestuar që la të vrarë një ushtar tajlandez.

Pasi trupat e Kamboxhias hapën zjarr ndaj forcave tajlandeze të hënën në mëngjes në provincën Ubon Ratçatani, “ushtria pranoi raportime se ushtarë tajlandezë u sulmuan me armë mbështetëse të zjarrit, duke rezultuar me një ushtar të vrarë dhe katër të plagosur”, tha zëdhënësi i ushtrisë tajlandeze, Winthai Suvaree përmes një deklarate.

Winthai shtoi se Tajlanda ka nisur “përdorimin e aeroplanëve për të goditur caqe ushtarake në disa zona” për të shtypur sulmet nga forcat e Kamboxhias.

Zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes të Kamboxhias, Maly Socheata, tha se forcat tajlandeze nisën një sulm ndaj forcave kamboxhiane në provincat kufitare të Preah Viearit dhe Odar Meançejit mëngjesin e së hënës, duke e akuzuar Tajlandën “se ka shtënë me tanke në tempullin Tamone Thom” dhe në zona afër tempullit Preah Viear.

Ajo tha se Kamboxhia nuk iu kundërpërgjigj këtyre sulmeve.

Met Measpheakdey, zëdhënës në administratën e provincës Odar Meançej, tha se janë raportuar të shtëna në zonat e tempujve Tamone Thom dhe Ta Krabei, duke shtuar se “një numër banorësh që jetojnë pranë kufirit po largohen”.

Ushtria tajlandeze tha se afër 35 mijë persona në Tajlandë janë evakuuar nga zonat përgjatë kufirit me Kamboxhian që nga rinisja e luftimeve.

Ushtria tajlandeze po ashtu akuzoi forcat e Kamboxhias se kanë lëshuar raketa ndaj zonave të banuara me civilë në provincën Buri Ram, duke shtuar se nuk është raportuar për viktima.

Të dyja palët raportuan për përleshje edhe të dielën, teksa ushtria e Tajlandës raportoi për dy ushtarë të plagosur.

Gjatë kësaj vere, përleshjet pesëditore mes Tajlandës dhe Kamboxhias lanë të vrarë 43 persona dhe zhvendosën rreth 300 mijë të tjerë, para se të hynte në fuqi një armëpushim.

Ndërprerja e luftimeve ishte ndërmjetësuar pjesërisht nga Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Malajzia.

Në muajin tetor, presidenti amerikan, Donald Trump, nënshkroi një deklaratë të përbashkët pasuese mes Tajlandës dhe Kamboxhias, duke promovuar marrëveshje të reja tregtare me këto dy shtete pasi ato u pajtuan që të zgjasnin armëpushimin.

Por, Tajlanda e pezulloi marrëveshjen muajin e kaluar, pas një shpërthimi të dyshuar të një mine tokësore që la të plagosur disa ushtarë.

Më pas, të dyja palët këmbyen akuza për përleshje të reja.

Mosmarrëveshjet mes dy shteteve përqendrohen në një debat shekullor mbi kufijtë e hartuar gjatë sundimit kolonial të Francës në rajon, me të dyja vendet që pretendojnë se u takojnë disa tempuj përgjatë vijës kufitare.

REKLAMË

REKLAMË

lajmet e fundit

Trump: Macron dhe Starmer trimërohen pak kur nuk jam unë pranë tyre

Presidenti amerikan, Donald Trump komentoi marrëdhëniet me homologun francez, Emmanuel Macron dhe kryeministrin britanik, Keir Starmer, duke thënë se ata priren të jenë “pak...

Shefi i NATO-s në Davos: Çështja kryesore nuk është Grenlanda, por Ukraina

Çështja kryesore nuk është Grenlanda tani, çështja kryesore është Ukraina. Kështu tha sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte në Davos. Duke folur në një panel...

Reagon familja e Brikenës pas deklaratave të Mateos për raportin e tyre dhe puthjet e pretenduara

Mateo Borri ka dhënë disa detaje shtesë në lidhje me njohjen me Brikena Selmanin. Ai ka përmendur edhe disa arsye që çuan në prishjen e...

“Ta fik cigaren në ballë”- debat i ashpër mes Kristit dhe banorit të ri në Big Brother

Një debat i ashpër ka ndodhur në Big Brother VIP Albania 5 mes Kristit dhe Rogertit. Rogerti, banori më i ri i shtëpisë më të...

Kurti takohet me Kos: Kosova dëshmoi progres, meriton statusin e vendit kandidat

Në margjina të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka zhvilluar takim meKomisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta...

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu