Ministrja e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka zhvilluar një tryezë të përbashkët me zonjat deputete shqiptare në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ku në fokus ishte dialogu dhe bashkëpunimi për të ardhmen.
Ajo theksoi se, përtej përkatësive të ndryshme politike, për një moment partitë mbetën mënjanë dhe në qendër ishte një bisedë e hapur për të ardhmen e shqiptarëve dhe rrugën europiane.
Sipas Spiropalit, edhe pse nga forca të ndryshme politike, mesazhi ishte i përbashkët: kur flitet për shqiptarët si komunitet shtetformues dhe për integrimin europian, nevojitet më shumë bashkëpunim dhe më pak ndarje.
Ministrja vlerësoi gjithashtu rritjen e pranisë së grave shqiptare në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, duke e cilësuar këtë si një shenjë pozitive për vendimmarrjen, dialogun dhe ndërtimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse.
