Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se sot, në ora 13:00, në ambientet e Teatrit Kombëtar të Kosovës, do të mbahet mbledhja komemorative në kujtim të këngëtarit të mirënjohur Shemsi Krasniqi – Shemi.
Në këtë ceremoni përkujtimore janë të ftuar familjarë, miq, bashkëpunëtorë dhe përfaqësues të komunitetit artistik, për të nderuar jetën dhe veprën e artistit, i cili la gjurmë të thella në muzikën shqiptare, njofton KultPlus.
Shemsi Krasniqi, i njohur gjerësisht si vokalist i grupit legjendar “Ilirët”, ishte një nga zërat më përfaqësues të muzikës shqiptare, duke kontribuar në ndërtimin e identitetit muzikor kombëtar dhe duke u bërë pjesë e pandashme e trashëgimisë sonë kulturore.
Mbledhja komemorative do të shërbejë si një moment reflektimi dhe respekti për figurën e tij artistike dhe njerëzore, si dhe për kontributin e çmuar që ai la pas për brezat e ardhshëm./KultPlus.com
