Shqiptarja Mira Murati merr drejtimin e kompanisë së ChatGPT

Bordi i kompanisë OpenAI, që prodhon programin e inteligjencës artificiale ChatGPT, njoftoi të premten se ka larguar bashkëthemeluesin dhe njëkohësisht drejtorin ekzekutiv Sam Altman, pasi nga një proces shqyrtimi u zbulua se nuk është treguar gjithnjë i sinqertë në komunikimin me bordin.

Mira Murati, drejtuesja teknologjike e kompanisë OpenAI, do të marrë përsipër detyrën e drejtueses ekzekutive të përkohshme, ndërkohë që kompania do të fillojë procesin e gjetjes së një drejtuesi të përhershëm.

Një zëdhënës i kompanisë OpenAI nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment se për çfarë bëhej fjalë në mungesën e sinqeritetit të zotit Altman. Në deklaratë thuhej se sjellja e tij po pengonte bordin të ushtronte përgjegjësitë e tij.

Zoti Altman postoi të premten në rrjetin X, dikur i quajtur Twitter: “Më pëlqeu koha në OpenAI. Ishte transformuese për mua personalisht, dhe shpresoj disi edhe për botën.

Mbi të gjitha më pëlqeu të punoja me njerëz kaq të talentuar. Do të kem më shumë për të thënë për ato çfarë do të vijnë më pas”.

Zoti Altman ndihmoi për krijimin e OpenAI si një laborator kërkimor jofitimprurës në vitin 2015.

Gjatë vitit të kaluar, ai u vu në qendër të vëmendjes globale si fytyra e kompanisë OpenAI pasi ChatGPT mori vëmendjen e publikut.
Në një turne botëror në fillim të këtij viti, ai u sulmua nga një turmë fansash në një aktivitet në Londër.

Të enjten, ai mori pjesë në një takim të nivelit të lartë të drejtuesve të kompanive në kuadrin e konferencës së Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor në San Françisko, ku ka edhe selinë kompania OpenAI.

Ai parashikoi se inteligjenca artificiale do të dëshmojë se është “hapi më i madh përpara nga të gjitha revolucionet e mëdha teknologjike që kemi patur deri më tani”.

Por ai gjithashtu pranoi nevojën për kufizime ligjore për ta mbrojtur njerëzimin nga kërcënimi ekzistencial i paraqitur nga përparimet tepër të mëdha që po bëjnë kompjuterat.

“Mendoj vërtet se bota do t’ia dalë mbanë dhe se të gjithë duan të bëjnë gjënë e duhur”, tha zoti Altman.

Si pjesë e tranzicionit të njoftuar të premten, presidenti dhe kryetari i bordit të kompanisë OpenAI, Greg Brockman, do të largohet nga roli si kryetar i bordit, por do të vazhdojë të luajë rol në kompani, duke i raportuar drejtores ekzekutive.

Deklarata nuk jepte ndonjë shpjegim për këtë ndryshim. Kompania Microsoft, partnere kryesore në biznes e kompanisë OpenAI, ka investuar miliarda dollarë në këtë kompani dhe ka ndihmuar në sigurimin e fuqisë kompjuterike për të operuar sistemet e saj të inteligjencës artificiale.

Kompania Microsoft tha të premten se tranzicioni nuk do të ndikojë në këtë marrëdhënie biznesi.

“Kemi një partneritet afatgjatë me OpenAI dhe Microsoft mbetet i përkushtuar ndaj Miras dhe ekipit të tyre, ndërsa sjellim këtë epokë të ardhshme të inteligjencës artificiale për klientët tanë”, thuhet në një deklaratë të kompanisë Microsoft të dërguar me postën elektronike.

REKLAMË

REKLAMË

lajmet e fundit

SKANDAL në Zhelinë / Shkolla në udhëheqje të Blerim Sejdiut lëshon deftesë me “Republika e Serbisë” – Mendjet ende ju rrinë në Beograd?! (DOKUMENT)

Skandalet në komunat e udhëhequra nga kryetarët e koalicionit VLEN vazhdojnë. Portali TS ka siguruar një rast të paprecedentë që ka ndodhur në shkollën...

FOTO / Zbulohet varri antik në Bulqizë, brenda gjenden edhe sendet personale

Një varr monumental që i përket periudhës romake është zbuluar në Bulqizë. Zbulimi është bërë në vendin e quajtur “Fusha e Gurrës” të fshatit...

Rrahje e shqiptarit me shtetësi suedeze, “Çkemberët” kërcëojnë edhe sulme tjera. Reagon Sela: Kush do të na mbroj?

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ka reaguar ashpër ndaj sulmit fizik ndaj një të riu shqiptar në qytetin e Manastirit, duke e...

Gara zhgënjyese e vredistëve për zgjedhjet lokale!

Kandidatët e VREDI-t në garën e zgjedhjeve lokale përballë kandidaturave te AKI ( garë për të cilën unë nuk mbështes asnjë subjekt politik, aq...

Stërvitje të mëdha ushtarake të NATO-s nisin në Letoni

Stërvitja gjithëpërfshirëse Namejs 2025 me pjesëmarrjen e NATO-s do të mbahet në të gjithë Letoninë nga 2 shtatori deri më 8 tetor, njoftoi të...

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu