Ambasadori amerikan në NATO, Matthew G. Whitaker, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara janë duke i ndjekur zhvillimet në Serbi dhe Republikën Sërpska, duke theksuar se prioriteti i tyre është parandalimi i eskalimit të situatës në konflikt rajonal.
“Jemi duke ndjekur me shumë kujdes gjithçka që është duke ndodhur sikurse në Republikën Sërpska, ashtu edhe në Serbi. Aktualisht, jemi të përqendruar që situata të mos shndërrohet në një konflikt të mundshëm rajonal”, ka nënvizuar Whitaker të martën në një nga panelet e diskutimit në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni.
Ai ka potencuar se SHBA-ja dëshiron stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe kjo, sipas tij, është e rëndësishme edhe për partnerët evropianë në kuadër të NATO-s, për të cilët ka shtuar se duan të sigurohen nëse janë të aftë të ofrojnë siguri dhe stabilitet.
“Dhe në të njëjtën kohë, ne jemi duke bërë përpjekje që të sigurohemi që aleatët tanë evropianë në NATO janë të gatshëm, të vullnetshëm dhe të aftë të ofrojnë siguri ose presion politik për të ruajtur stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, ka shtuar ai.
Serbia është përballë protestave masive që kanë shpërthyer pas tragjedisë në stacionin hekurudhor në Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona, ndërsa Republika Sërpska është përballë një krize të thellë politike pas heqjes së mandatit të preisdentit të entitetit serb, Millorad Dodik, i cili kërcënon me ndarje nga Bosnje e Hercegovina.