Përfaqësuesi i Aki-t, Shaip Zeneli, i ka reaguar publikisht Darko Kostovskit pas deklaratave të këtij të fundit ndaj hoxhallarëve shqiptarë. Në një reagim të ashpër, Zeneli e ka quajtur Kostovskin “të vogël” për të përmendur emrin e prijësve fetarë dhe kombëtarë shqiptarë.
“Edhe unë po të përshëndes publikisht, ty. I vogël je ti për t’ua dërguar selamet hoxhallarëve tanë. Nuk e posedon ti atë kredibilitet, mos i jep zor. Nëse disa vazalë ta rrahin shpinën, mos merr yrysh,” ka shkruar Zeneli.
Ai theksoi se hoxhallarët kanë pasur gjithmonë rol të rëndësishëm në jetën fetare dhe kombëtare të shqiptarëve, duke qenë pjesë e çdo familjeje që nga lindja e deri në vdekje.
“Hoxhallarët, në shumë raste, kanë qenë jo vetëm prijës fetarë, por edhe prijës kombëtarë. Që nga shpallja e pavarësisë e deri më sot, ata kanë luajtur rol të rëndësishëm në shumë ngjarje jetike për popullin tonë. Sulmi ndaj tyre është sulm ndaj nesh,” shtoi ai.
Në fund, Zeneli i dërgoi edhe një mesazh të drejtpërdrejtë Kostovskit dhe të tjerëve që ndajnë të njëjtin mendim:
“E ti, Darko – e të tjerët si ti – paloni bishtin!”