Profesori amerikan i Universitetit Johns Hopkins dhe njohësi i njohur i Ballkanit, Daniel Serwer, vlerëson se koncepti i ashtuquajtur “Bota serbe” përfaqëson një rrezik serioz për stabilitetin e rajonit dhe do t’i japë fund ambicieve evropiane të Serbisë.
Në një intervistë për gazetën serbe Danas, Serwer thekson se protestat studentore mund të sjellin ndryshime në Serbi, por shpreh skepticizëm nëse kjo do të ndodhë realisht, përcjell INA.
Sipas tij, presidenti Aleksandar Vuçiç është mjeshtër i menaxhimit dhe manipulimit të protestave qytetare, duke bërë lëvizje taktike si ndryshime ministrash apo thirrje zgjedhjesh, pa rrezikuar pushtetin e tij real.
“Vuçiç do të jetë shumë i kujdesshëm që të garantojë rezultatin. Gjithçka bëhet për të siguruar rrezik zero për pushtetin e tij”, vlerëson Serwer, duke shtuar se ai nuk do ta përsërisë gabimin e Sllobodan Millosheviçit, i cili besonte se mund të fitonte zgjedhje relativisht të lira dhe të ndershme.
Duke folur për qëndrimin e Bashkimit Evropian ndaj protestave studentore, Serwer thotë se BE-ja nuk duhet pritur të mbajë anë, por të mbrojë vlerat e saj themelore – demokracinë dhe sundimin e ligjit – përballë rritjes së autokracisë në Serbi. Sipas tij, interesa si litiumi, stabiliteti apo kundërbalancimi i ndikimit rus janë dytësore krahasuar me rikthimin e demokracisë.
Në lidhje me përpjekjet e Vuçiçit për t’ia shitur ndërtesën e Shtabit të Përgjithshëm dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner, Serwer shprehet se nuk është i njohur me arsyetimin e Kushnerit, por shton se duket se Vuçiç ka fyer administratën Trump. “Kjo është gjë e mirë, sepse do të thotë se sundimi i ligjit dhe demokracia nuk mund të shiten lehtë”, thekson ai.
“Bota serbe” – një ‘Serbi e Madhe’ e modernizuar
Duke folur drejtpërdrejt për projektin “Bota serbe” dhe ndërhyrjen e Beogradit në Mal të Zi dhe Bosnje e Hercegovinë përmes Republikës Sërpska, Serwer është i prerë:
“‘Bota serbe’ është thjesht një formë e modernizuar e ‘Serbisë së Madhe’. Kjo do të sillte vdekje dhe shkatërrim në pjesën më të madhe të Ballkanit, si në vitet ’90. Njëkohësisht, kjo do t’i japë fund shpresave të Serbisë për anëtarësim në BE. Beogradi po rrezikon sigurinë dhe prosperitetin e qytetarëve të vet për të zgjeruar ndikimin në vendet fqinje – një ambicie që nuk mund të përfundojë mirë.”
Sipas tij, rajoni do të vazhdojë të përballet me stagnim në marrëdhëniet rajonale, ndërsa shpresa më e madhe për përparim mbetet anëtarësimi i Malit të Zi, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE. “Serbia ka zgjedhur një rrugë të ngadaltë”, përfundon Serwer.
Duke reflektuar për vitin 2025 në politikën e jashtme globale, ai e cilëson si moment kyç vendimin e administratës Trump për t’u rreshtuar me Rusinë kundër Ukrainës dhe për të hequr dorë nga mbështetja aktive e demokracisë dhe sundimit të ligjit. Serwer beson se ukrainasit do të vazhdojnë rezistencën, por paralajmëron se pa mbështetje amerikane, një fitore e shpejtë mbetet pak e mundshme.(INA)
