Çair, 15 Tetor 2025- Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, ka reaguar pas tubimit të mbajtur sonte në Çair, duke e cilësuar atë si një përgjigje të qartë të shqiptarëve ndaj asaj që ai e quan “regjim monoetnik dhe antishqiptar”.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Sela theksoi se mesazhi i tubimit ishte i qartë: shqiptarët nuk pranojnë diktat, imponim dhe degradim politik.
“Edhe në Çair #ReferendumiKombëtar e mori përgjigjen që sonte. Shqiptarët nuk pranojnë diktat, imponim e degradim. Aventurat dhe eksperimentet në dëm të shqiptarëve marrin fund më 19 Tetor, kur të gjithë #Bashkë do t’i japim përgjigjen këtij regjimi monoetnik dhe antishqiptar. Na priftë e mbara!”, shkruan Sela.
Deklarata e tij vjen në kuadër të fushatës zgjedhore, ku Sela dhe Aleanca për Shqiptarët janë pozicionuar qartë kundër politikave që, sipas tyre, kanë dëmtuar interesin kombëtar shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Tubimet e fundit të kësaj force politike kanë pasur në qendër mesazhin e unitetit dhe refuzimin e eksperimenteve politike, të cilat- sipas tyre- kanë sjellë përçarje dhe përfaqësim të dobët për shqiptarët.
Zgjedhjet e 19 tetorit po konsiderohen vendimtare për raportet e ardhshme politike në vend, veçanërisht për përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore.