“Nuk kemi asnjë arsye të ulim kokën”, ka thënë Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, pasi që partia që ai drejton nuk arriti që ta kalojë pragun zgjedhor prej 5 për qind në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit. Kjo parti mori vetëm 1.7 për qind të votave.
“Në këtë fundvit, ju falënderoj nga zemra për çdo votë, për çdo mbështetje dhe për çdo rreshtim të ndershëm në këtë rrugë që e bëmë bashkë”, shkroi Limaj përmes një postimi në Facebook.
Ai theksoi se kjo nuk ka qenë një rrugë e lehtë, por sipas tij, ka qenë e drejtë.
“Dhe ajo që ka më shumë vlerë se çdo rezultat është fakti se kemi qëndruar drejt, me kokën lart dhe me besim në atë që përfaqësojmë”, shtoi.
Gara e 28 dhjetorit, në vlerësimin e Limajt, “u zhvillua në rrethana të veçanta dhe me një mobilizim të jashtëzakonshëm”. “Por përtej çdo shifre, ajo që mbetet është mbështetja juaj dhe bindja jonë se kjo rrugë ka kuptim dhe vazhdimësi”.
“Teksa mbyllim një vit të vështirë dhe hyjmë në një vit të ri, dua ta them qartë: viti që vjen na pret me punë, me organizim dhe me përgjegjësi edhe më të madhe. Na pret me përkushtim dhe me ecje të sigurt drejt qëllimeve tona”, potencoi ai.
Kreu i Nismës theksoi se mbeten të bindur se Kosova “ecën përpara vetëm me bashkim, me pjekuri dhe me një vizion të qartë për të ardhmen”.
“Prandaj, nuk kemi asnjë arsye të ulim kokën. Çdo votë është amanet. Çdo përkrahës është forcë”.
Kjo është një etapë, që sipas Limajt, “na obligon të jemi edhe më të përgatitur”. “Ajo që kemi ndërtuar deri këtu nuk ndalet, por forcohet”, derisa u uroi qytetarëve Vitin e Ri.
Sipas rezultateve preliminare, në zgjedhjet e 28 dhjetorit, VV-ja mori 49.34 për qind të votave, PDK 20.98 për qind, LDK 13.57 për qind, AAK 5.66 qind.
