Rreth 10 milionë e 800 mijë euro ka arritur sivjet vlera e importit të grurit nga Serbia, duke nxjerrë në pah një kontradiktë të dukshme me deklaratat e Qeverisë në detyrë, e cila gjatë vitit kishte promovuar “rekorde në të mbjella” dhe “sigurimin e bukës së motmotit”.
Pavarësisht premtimeve zyrtare për rritje të prodhimit vendor dhe shtim të kapaciteteve bujqësore, të dhënat e importit tregojnë se Kosova ka vazhduar të mbështetet në grurin e huaj, kryesisht nga Serbia, për të mbuluar nevojat e tregut.
Sipas shifrave të disponueshme, vetëm gjatë këtij viti janë importuar dhjetëra mijëra tonë grurë, ndërsa vlera financiare kap shifrën prej 10.8 milionë eurosh, një rritje e ndjeshme krahasuar me pretendimet për vetë-suficiencë bujqësore.
Ekspertë të sektorit të bujqësisë thonë se këto të dhëna dëshmojnë se prodhimi vendor është ende larg përmbushjes së kërkesave të tregut, ndërsa kritikat ndaj Qeverisë shtohen për mospërputhje mes propagandës dhe realitetit ekonomik.
