Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka ndarë sot një mesazh nga një takim i mbajtur me veteranët e Luftës së Kumanovës, duke theksuar rëndësinë historike të sakrificës së tyre në ndërtimin e lirisë së shqiptarëve. Haradinaj u shpreh se ka qenë “nder i veçantë” të qëndronte pranë atyre që i cilësoi si themelues të rrugës së lirisë. “Çdo fjalë e tyre, çdo kujtim, mban peshën e historisë dhe krenarisë sonë të përbashkët,” shkroi ai. Në takim mori pjesë edhe Dardan Krasniqi, kandidat për deputet në zgjedhjet e ardhshme, i cili dëgjoi nga afër rrëfimet e veteranëve dhe shprehu mirënjohje për kontributin e tyre. Haradinaj theksoi se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të mbetet “krah veteranëve dhe shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut,” duke nënvizuar vazhdimësinë e bashkëpunimit dhe mbështetjes për komunitetin shqiptar atje.






