Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pasi ka përfunduar vizitën tek ish-presidenti Hashim Thaçi, Gjykatën Speciale e ka quajtur “godinë ku luhet teatri i turpit të drejtësisë ndërkombëtare”. Nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij zyrtare, Rama tha se ish-presidenti “ishte në formë, i buzëqeshur e me karakter të hekurt”. Tha se ia çoi një libër atij, teksa ai vendin ku mbahet i paraburgosur me buzëqeshje e quan “institut”.
“E kam gjetur komandantin në formë, të qetë e të buzëqeshur si çdo i pafajshëm me karakter të hekurt, edhe pse me ndalime absurde të drejtash minimale që i ishin hequr krahasimisht me herën e kaluar – një turp më vete me një fjalë! Kemi folur për familjet, për miqtë e përbashkët, për Shqipërinë e për Kosovën, për “Skënderbeun” e Aurel Plasarit, që ia pata çuar më parë, për librin e fundit të Kisingerit që ia çova këtë herë, e për dy a tre libra të tjerë nga moria e leximeve të tij në këtë vend, të cilin me të qeshur Hashimi e quan “institut””, shkroi Rama.
“Padrejtësi ulëritëse” e quan ai komplet punën dhe institucionin e Dhomave të Specializuara.
“Nuk di ç’të them më për këtë padrejtësi ulëritëse në zemër të Europës demokratike, me bekimin e shteteve të Europës e SHBA-së dhe me me fondet e taksapaguesve europianë e amerikanë, ndaj një populli europian që çliroi vetveten nga një regjim nacional-socialist, po edhe Europën nga një njollë e zezë apartajdi mu në kërthizën e saj për dekada me radhë”, shtoi.
Në Gjykatën Speciale ndërkaq, gjyqi ndaj katërshes udhëheqëse të UÇK-së tanimë ka përfunduar. Në fillim të vitit do të jepen fjalët përfundimtare, gjersa gjatë muajve prill – maj pritet aktgjykimi.
