Shqipëria e cilëson Kosovën një pjesë të pandashme të angazhimit të saj diplomatik dhe një prioritet strategjik në politikën e jashtme, edhe në çaste kur vëmendja kryesore e vendit është e kapluar nga mbyllja e negociatave me Bashkimin Evropian dhe mundësia e integrimit të plotë në Union.
Sipas Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në një përgjigje ekskluzive për Albanian Post, mbështetja për Kosovën në arenën ndërkombëtare nuk është thjesht një shprehje e solidaritetit kombëtar, por një investim direkt në stabilitetin, paqen dhe të ardhmen evropiane të rajonit.
Që nga nënshkrimi i dokumentit të partneritetit strategjik midis Shqipërisë dhe Kosovës në Prizren në vitin 2014, marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve kanë njohur një intensifikim të vazhdueshëm.
