Lista e pavarur e Ramiz Merkos në Strugë është shumë pranë përfshirjes në përbërjen e re qeveritare të Maqedonisë së Veriut. Lajmin e ka bërë të ditur portali lokal “Strugalajm”, i cili konsiderohet i afërt me Merkon.
Sipas raportimit, bisedimet për hyrjen në koalicion janë në fazën përfundimtare, ndërsa marrëveshja pritet të zyrtarizohet në ditët e ardhshme.
Në kuadër të marrëveshjes politike, burime pranë Listës “Merko” bëjnë të ditur se po negociohet edhe rol i rëndësishëm për zgjedhjet parlamentare të vitit 2028, ku bartës i listës në këtë zonë do të jetë përfaqësues nga grupi i Merkos.
Sipas informacioneve të publikuara nga “Strugalajm”, oferta e Qeverisë përfshin disa poste të rëndësishme në institucione shtetërore:
Drejtor në Postën e Maqedonisë
Drejtor në Drejtorinë e Zbulimit Financiar
Zëvendësdrejtor në Drejtorinë e të Hyrave Publike (UJP)
Zëvendësdrejtor në Inspektoratin Ndërtimor Shtetëror
Burime nga Struga thonë se marrëveshja pritet të konkretizohet shumë shpejt, ndërsa reagime të menjëhershme politike ende mungojnë.
Ajo që ka ngjallur më shumë habi në opinion është heshtja e Bekim Qokut, një nga figurat që vetëm pak javë më parë kishte kritikuar ashpër Ramiz Merkon, duke e përmendur edhe në kontekstin e “Listës së zezë amerikane”.
Kjo heshtje ka nxitur dyshime në qarqet politike lokale se Qoku mund të jetë një ndër ndërmjetësuesit për afrimin e Merkos me qeverinë e re.
Ditëve në vijim pritet që të publikohen më shumë detaje rreth kësaj marrëveshjeje, e cila sipas burimeve brenda Listës “Merko”, është drejt finalizimit.
(INA / Strugalajm / redaksia)
