Avni Qahili është emëruar drejtor i Muzeut të Arteve Bashkëkohore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, duke u bërë shqiptari i parë që merr drejtimin e këtij institucioni kombëtar prestigjioz.
Muzeu i Arteve Bashkëkohore konsiderohet si një nga institucionet më elitare kulturore në vend dhe ka një rol kyç në prezantimin e artit modern dhe bashkëkohor në nivel vendor dhe ndërkombëtar.
Si krijues artistik i njohur dhe tashmë në rolin e drejtorit, pritet që Qahili të sjellë një frymë të re në menaxhimin e institucionit, duke hapur më shumë hapësira për artistët shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, rajoni dhe bota. Emërimi i tij shihet si një mundësi reale për rritjen e përfaqësimit dhe bashkëpunimit kulturor ndërkombëtar, si dhe për fuqizimin e skenës artistike bashkëkohore.
Ky emërim vlerësohet edhe si një arritje politike e koalicionit VLEN dhe e zëvendëskryeministrit Izet Mexhiti, të cilët po arrijnë të marrin drejtimin e institucioneve me rëndësi të veçantë shtetërore, duke rritur përfaqësimin dhe ndikimin e shqiptarëve në jetën institucionale të vendit.
