Ka ndërruar sot në mëngjes fëmija dyvjeçar, i cili u plagos rëndë nga një plumb qorr në Shkup gjatë natës së Vitit të Ri, derisa po shikonte fishekzjarrët, njoftuan autoritetet shëndetësore.
Fillimisht, fëmija u dërgua për trajtim në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit në Shkup, ndërsa për shkak të seriozitetit të plagëve u transferua urgjentisht në Klinikën e Kirurgjisë Pediatrike, përcjell INA.
Ekipet mjekësore konstatuan gjakderdhje masive në tru, me përfshirje të të gjitha ventrikujve cerebralë.
Pavarësisht kujdesit intensiv mjekësor dhe mbikëqyrjes së vazhdueshme, gjendja e fëmijës ishte jashtëzakonisht e rëndë dhe kërcënuese për jetën. Mëngjesin e sotëm, mjekët konstatuan vdekjen.
Nga Prokuroria Themelore Publike e Shkupit njoftuan se është lëshuar urdhër për obduksionin e trupit, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes.
“Në lidhje me fëmijën dyvjeçar që ka ndërruar jetë, Prokuroria Themelore Publike Shkup ka lëshuar urdhër për obduksion të trupit”, thonë nga Prokuroria.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, kishte deklaruar më herët se bëhet fjalë për një nga incidentet më serioze të regjistruara gjatë natës së Vitit të Ri. Ai theksoi se të gjitha rrethanat në të cilat ka ndodhur rasti janë ende objekt hetimi.(INA)
