(Nga:Besir Bajrami)
“Përkatësia etike është më e rëndësishme se përkatësia etnike”, thotë Zeqirija Ibrahimi, kryetar i partisë politiko-fetare “Alternativa”, e që në mënyrë implicite bën thirrje që të mos votohet kandidati i vetëm shqiptar, por ai sllav, që të sundoj mbi shqiptarët e Kërçovës pas zgjedhjeve të 2 nëntorit. Këtë e kërkon njeriu, që në vend të Rilindjes Kombëtare na rikujton Xhemijetin e Stambollit dhe Nikolla Pashiqit.
Po, është e kuptueshme për të, kur i sheh shqiptarët si “umet” dhe jo si komb, atëherë edhe morali matet me tespihe, jo me dinjitet kombëtar.
Këta janë ata që, kur një shqiptar akuzohet gjatë fushatës zgjedhore, nuk e presin drejtësinë, por ndezin menjëherë kandilin që të ndriçojë sundimin e sllavit mbi ne.
Në emër të “etikës”, kërkojnë që të mos mbështetet kandidati shqiptar në Kërçovë, vetëm që të votohet “i ndershmi” sllav i VMRO-së. Ironikisht, kjo është etika e Xhemijetit: gjithmonë kundër kombit nën flamur të huaj. Por a ka perdhosje ma të madhe etike të një njeriu me ndikim politik, i cili kombin e tij e orienton që të sundohet nga një armik, edhe atë duke ia kërkuar edhe votën për ta?!
Jo rastësisht, të njëjtën e kerkoi sot edhe vëllau i tij siamez i sektit tjetër fetaro-politik me brum dhe burim të përbashkët financimi dhe ideologjie, ai i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami (pjesë e të njëjtit koalicion VLEN) i cili antikombtarizmin e tij e ka edhe ma Hard-Core se ideologu i tij paraprak, Bilalli (apo fansi i Pollat Alemdarit, siç e njohin tetovarët), arrijnë deri aty sa të mos e mbështes as edhe kandidatin e tij në komunën e Bervenicës përballë sllavit të VMRO-së! Pra, deri këtu është thelluar anti-kombtarizmi i aleatëve të Albin Kurt(h)it në Maqedoninë e Veriut.
Kjo pra, është e njëjta “etikë” që na e shiti Shkupin për një tespihe më shumë, dhe që sot kërkon t’i japë “legjitimitet moral” çdo humbjeje kombëtare.
Sepse për ta, shqiptari i mirë është ai që e ruan etikën në këmbim të sundimit nga armiku.
* * *
Nga Zylqyflije në “manifestin e Xhemijetit”
“Reperin” e lagjes nga “Xhepat e Zbrazet”, që tundej e shkundej pa asnjë estetikë artistike edhe atëherë si i ri, Afrim Gashin, e që depresioni i adoleshencës e futi ujrave të asaj pakoje që të ofrohet si e gatshme nga dilerat e lagjeve të Shkupit, pakos së islamit politik, si pasojë e piktakoi me Zeqirija Ibrahimin dhe Bilall Kasamin, e qe sot bashkërisht janë shëndrruar në ideatorët e një pamfleti politik me frymë teologjike, ku “kombin e shohin si pengesë për shpëtimin e shpirtit”.
Në vend që të frymëzohen shpirtnisht nga spiritualizmi dhe humanizmi global, ose islamin ta mbajnë brenda vetes, e politikisht të frymëzohen nga sekularizmi i shqiptarisë, apo nga figura kombëtare politike si Skënderbeu, ata gjejnë idealet te deputetët e Xhemijetit, ata që “kryet e kishin në Stamboll e prapanicën në Beograd”.
Është pikërisht ky njeri (Zeqirja Ibrahimi), i cili përmes manifestit politik, e potencon se frymëzmi i tij dhe bashkpartiakve të tij, por (gjoja se) edhe i shqiptarëve te Maqedonisë, vjen nga zgjaitmet xhonturke. Fjala është pikërisht për manifestin e “xhemijetit”, organizatë fetare e politike e krijuar me nxitjen e Nikola Pasiçit dhe mbretit serb Aleksandër në kohën e Jugosllavisë së vjetër.
Në mes tjerash, ai proklamon se nëse duam që ta ndërtojmë një nacionalizëm autentik shqiptar mbi këto parametra (AAA-Autokton, Autentik dhe Autonom), kjo nënkupton se duhet projektuar edhe një shqiptari autentike, që megjithëse mund të dallojë nga “shqiptaria shtetërore dhe europiane” në Shqipëri, dhe “shqiptaria kosovare amerikane” në Kosovë, ajo do të jetë një shqiptari me “vlerat e saj autoktone”, që do të mundohet t’i ruajë ato.
E ka fjalën për vlerat fetare, që për Zylqyflijen dhe partinë e tij, janë edhe bosullë politike, që do të shërbej edhe si ndarje nga “shqiptaria e Shqipërisë” dhe “shqiptarisë së Kosovës”, pra, një braktisje e vet thelbit të shqiptarisë, e që është sinonim i sekularizmit.
Kjo nuk është thjesht injorancë historike; është vazhdimësi ideologjike.
Sepse Alternativa e sotme si sekt i Lëvizjes Besa nga ku u degëzua, është thjesht Xhemijeti i ri me status “OJQ-je” fetaro-politike, financuar nga të njëjtat burime të shteteve lindore që e shohin shqiptarin jo si komb, por si mjet për projektet e tyre “umetike”.
Nëse dikush ka dyshim, mjafton të lexojë programin e tyre fillestar (e që sot e kanë feshur nga publiku):
– Termi “religjion” përsëritet 16 herë në platformën politike fillestare dhe 26 herë në programin e tyre zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të vitit 2016;
– “Fe”, “fetar” 6 herë në platformë dhe 8 herë në programin e tyre zgjedhor;
– Në faqen 17 përmendet si frymëzim edhe organizata politike e muslimanëve të ish-Jugosllavisë “Xhemijet”;
– Në faqen 21 për heretikët përdoret edhe termi arabo-islamik Murted, po aty permendet shehadeti, pagëzimi, e besës si term i jepet nje konotacion fetar, ashtu siç përdorej në fakt në kohën e rilindasve, që perveç fjalës së dhënë, besë nënkuptonte edhe fe. Edhe kjo Lëvizje me këtë emër, nuk nënkupton kontekstin e Besës si fjalë e dhënë, por nënkupton Besën si Fe, më saktë fenë në politikë;
– “Islam (me nënkuptimin politik të tij)” 7 herë;
– “Shehadet” 2 herë;
– “Osmanët” 2 herë (dhe asnjëherë si pushtues por ndarja nga shteti Osman shihet si element negativ për shoqërinë).
Pra, nuk është parti politike, është një seminar i gjatë për moralin e nënshtrimit.
Deri më tani partitë shqiptare kanë manipuluar në emër të nacionalizmit, tani pasi u konsumua kjo ideologji, Lëvizja Besa dhe dega e saj Alternativa, krijuan një standard të ri, që të manipulojnë edhe nëpërmjet fesë, përveç nacionalizmit. Por, që në parim ata janë në kontradiktë me veten, sepse ndjesia politike e kombit-shtet (nacionalizmi shqiptar), është në kundërshtim me parimin fetar të një shteti të vetëm islamik, apo Kalifatit islamik (që mund të jetë shumë-etnik, por jo edhe shumë-kombësh).
Nuk ka nevojë të lexohet i gjithë programi formal i kësaj lëvizje apo i asaj partie, mjafton të kuptohet piknisja e saj, duke u shërbyer me arsyetimin deduktiv, apo rezultatin e përgjithshëm të një ndikimi, dhe arsyetimin induktiv, apo përcaktimin e veçantë të burimit të këtij ndikimi. Kështu ne mund të identifikojmë burimin e infiltrimeve të qendrave të ndryshme të ndikimit rajonal dhe global në vendin tonë, që për qëllime të veta gjeostrategjike dhe pseudo-nacionale përtej kufijve te vet, kanë infiltruar agjendat e tyre nëpermjet një mjeti global manipulues siç është opinioni i ri publik për religjionin, dhe raportin e tij me ndjenjën kombëtare, që shifet si pengesë gjatë procesit të manipulimit dhe përvetesimit mbi një komb tjetër. Jo rastësisht, njerëzit që e kanë tejkaluar problemin kombëtar të shqiptarëve pa e zgjidhur atë dhe vetidentifikohen parasegjithash me identitetin fetar, apo njerëzit që janë në gjendje të mohojnë një shqiptar të krishter apo të pa fe, për një vëlla musliman, pikërisht këta njerëz janë tubuar përreth Lëvizjes Besa dhe shkeputjes se saj, partisë Alternativa, e qe e bëjnë bazën e këtyre partive. Të tjerët që mund të mos identifikohen si musliman praktikant, por janë votues të tyre, nuk janë gje tjetër veç se mish për top drejtë qëllimit anti-kombëtar të këtyre partive me brum dhe burim të përbashkët.
Nuk është hera e parë që infiltrime të huaja instrumentalizojnë partitë tona politike. Te ne kanë patur ndikim edhe faktorët armiqësorë sllav e grek, por ata shqiptar të shitur te ta nuk kanë patur guxim të dalin hapur për të shprehur me krenari tradhëtinë që bëjnë, por janë munduar ta fshehin atë. Për ta kuptuar se sa poshtë ka rënë nacionalizmi shqiptar në shoqërinë tonë, tregues më i mirë është se për herë të parë në historinë tonë pas rilindjes kombëtare, dalin njerëz që hapur pranojnë se ndihmohen, financohen dhe bazohen në interesin gjeostrategjik lindor, madje krenohen me të, dhe në kuadër të atij interesi, e shohin edhe zgjidhjen e problemeve sociale e ekonomike, duke flijuar ndjenjën kombëtare në tërësi, duke e paraqitur atë si një çështje të kaluar e regresive. Kjo tregon se masa shqiptare nuk reagon më ndaj atyre që e mohojnë interesin kombëtar. Shqiptari sot kërkon vetëm të mbijetoj si individ, apo si familje. Nuk ka ndjenjë kombëtare, nuk e shikon kombin si një familje. Jemi më keq se para kohës së rilindjes kombëtare.
* * *
Kur “etika” shërben për spin politik
Ky “mësim etike” nuk është spontan. Është një spin mediatik për t’i dhënë ngjyrë fetare një loje elektorale të pistë, ku për hir të “etikës” lejohet edhe përkrahja e sundimtarit sllav.
Pra, sipas Ibrahimit: më mirë një sllav “me moral” sesa një shqiptar që u mat në zgjedhje dhe shqiptarët e votuan si të parin e tyre, edhe pse akuzohej paraprakisht me akuza ende të pakonfirmuara nga ndonjë gjykatë.
Në anën tjetër, logjika e interesit kombëtar e sheh prap më mirë një shqiptar të gabuar, sesa një armik të na sundoj. Edhe më i keqi ndër ne, është i yni, dhe ne merremi me të. Ne e gjykojmë, ne e votojmë, ne e dënojmë, nuk ia dorëzojmë udheheqjen armikut, në emër të “etikës”.
Sepse për ne, etika fillon nga morali i brendshëm, jo nga ligjet e huaja apo përkufizimet e servilizmit.
Etika jonë është ajo që bazohet në vetëdijen politike kombëtare. Çdo hap në dëm të interesit kombëtar, nuk mund të jetë etikë. Kur një kandidat shqiptar doli i pari në raundin e parë, kjo nuk është thjesht një fitore elektorale; është provë se kombin e vendosim ne, jo spin-et mediatike dhe manipulimet fetare.
Nuk ka “etikë” që të arsyetoj nënshtrimin ndaj sllavit në emër të moralit fetar, as spin politik që e fsheh këtë nënshtrim pas tespiheve dhe haditheve.
Në fund, historia shqiptare i njeh mirë këta moralistë të rremë. Janë të njëjtët që çdo herë kur kombi kërkonte drejtësi, predikonin durimin; kur kërkonte bashkim, flisnin për mëshirë; dhe kur kërkonte dinjitet, këshillonin heshtjen.
Moralisti që e mbron Xhemijetin nuk është as fetar, as kombëtar. Është thjesht një njeri që s’e ka zgjedhur dot cilit zot t’i shërbejë, dhe përfundon duke u përkulur para çdo pushteti që i premton mikrofonin.
* * *
Të ndërlidhura:
Zgjedhjet, interesi kombëtar, Milikija dhe “Besa”!
https://www.facebook.com/notes/1809297675902914/
Vijnë sulmet e para të islamit politik, kundër aktiviteteve socio-kulturore të të rinjëve të pavarur politikisht në Tetovë!
https://www.facebook.com/BesirBajr…/posts/5467941589920232
Kush qëndron financiarisht pas Lëvizjes BESA në Maqedoni
https://lajmi.net/ja-kush-qendron-financiarisht-pas…/
Identiteti politik i Xhemijetit (nga Zeqirija Ibrahimi)
Në kërkim të autentikes dhe autoktones (nga Zeqirija Ibrahimi)
https://kohaislame.com/ne-kerkim-te-autentikes-dhe…/
