Ambasadori Meidani: Deputetet shqiptare, pozitë dhe opozitë, të bashkuara në takimin me Ministren Spiropali në Shkup
SHKUP – Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka shoqëruar Ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, në takimin e parë zyrtar të vizitës së saj në Shkup, ku u mblodhën së bashku deputetet shqiptare nga pozita dhe opozita në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.
Takimi u zhvillua përtej ndarjeve politike dhe u përqendrua në rolin e faktorit shqiptar në vend, fuqizimin e grave në vendimmarrje dhe përgjegjësinë e përbashkët për avancimin e agjendës europiane të Maqedonisë së Veriut.
Ambasadori Meidani vlerësoi faktin që deputetet shqiptare, pavarësisht përkatësive politike, u ulën në një tryezë të përbashkët, duke e cilësuar këtë si një sinjal pozitiv për dialog, bashkëpunim dhe pjekuri politike.
Vizita e ministres Spiropali në Shkup nisi me mesazhin e qartë se çështjet madhore kombëtare dhe europiane kërkojnë bashkëpunim dhe jo ndarje.
