Edhe pse Ministria e Brendshme kishte paralajmëruar nisjen zyrtare për 1 dhjetor, një pjesë e shoferëve i morën SMS-të e para për shkelje të regjistruara që më 30 nëntor. Njoftimet vinin nga dërguesi MVR–SC dhe përmbanin targën e automjetit dhe një link drejt procesverbalit me detajet e shkeljes, duke përfshirë edhe të dhënat teknike nga kamerat “Tattile”.
Qytetarët kanë deklaruar se sistemi dukshëm është aktivizuar një ditë më herët se e planifikuara. Sipas njoftimeve të mëparshme, periudha deri në Vitin e Ri duhej të ishte fazë testuese me paralajmërime, por mesazhet treguan se kamerat tashmë po funksiononin plotësisht dhe po regjistronin shkeljet.
Ishte paralajmëruar se nga 1 janari sistemi do të kalojë në zbatim të plotë dhe çdo shkelje do të ndëshkohet pa tolerancë, ndërsa pronarët do të marrin procesverbal dhe urdhër pagesë. Kamerat tashmë janë vendosur në kryqëzime kyçe në Shkup dhe në autostradat e korridoreve 8 dhe 10, me qëllim zvogëlimin e shpejtësisë, kalimit në të kuqe dhe parkimit të parregullt.
Sipas reagimeve të sotme, teknologjia e ka nisur procesin në heshtje – kamerat kanë regjistruar, sistemi ka evidentuar, dhe shoferëve u kanë mbërritur mesazhet e para para datës “zyrtare”.
