LSDM ka publikuar akuzat e radhës ndaj qeverisë së Hristijan Mickoskit, duke pretenduar se privatizimi i “Stopanska Bankës Sh.A Manastir” është pjesë e një skeme të dyshimtë financiare. Sipas Aleksandar Sasha Dimitrijeviç nga LSDM, vetëm dy muaj më parë banka serbe “Allta Banka” ka marrë kontrollin e bankës në Manastir, transaksion që – siç thotë ai – është miratuar nga guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski.
Opozita maqedonase ngre pikëpyetje serioze mbi prejardhjen e kapitalit dhe lidhjet e pronarit të Allta Bankës, Davor Macura, i cili sipas mediave serbe dyshohet për aktivitete të paligjshme dhe shoqërohet me emrin e Milan Radojiçiqit, person i sanksionuar nga SHBA-të. LSDM thekson se nga një pronar i një këmbimoreje lokale në Zemun, Macura është shndërruar brenda pak kohësh në pronar banke me kontrata të mëdha shtetërore në Serbi, gjë që ata e konsiderojnë alarmante.
“Ky është një kanal ligjor për hyrjen e rrjedhave të dyshimta financiare në Maqedoninë e Veriut dhe rrezik i pastër për pastrim parash,” deklaroi Dimitrijeviç, duke akuzuar Bankën Popullore për mosveprim dhe standarde të dyfishta, sidomos kur Banka Qendrore Evropiane është treguar shumë më rigoroze në raste të ngjashme.
LSDM kërkon që Drejtoria e Policisë Financiare të hapë hetim të plotë për transaksionin dhe prejardhjen e kapitalit serb që ka hyrë në vend përmes këtij privatizimi.
