Analisti dhe gazetari Lirim Memetaj ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve të fundit të Glauk Konjufcës, duke i cilësuar ato si një formë të re të, siç e quan ai, “katilitetit politik” që rrallë është dëgjuar në diskursin publik.
Sipas Memetajt, Konjufca ka pranuar hapur se për një periudhë i ka sharë dhe përbuzur mediat sepse kjo i ka “konvenuar”, ndërsa tashmë, pas një analize të brendshme, po del se bashkëpunimi me to është më i favorshëm politikisht.
“Pra, nuk kemi të bëjmë me rikthim te mediat si pasojë e një gabimi, parimi apo pendese morale, por me një kthesë të ftohtë strategjike, të kalkuluar sipas nevojave të momentit”, shkruan Memetaj.
Ai thekson se kjo qasje nuk buron nga reflektimi, por nga nevoja për të menaxhuar perceptimin publik në funksion të interesit politik aktual.
“Nuk është ndryshim bindjeje, por ndryshim taktike. Për mashtrimin aktual po na duhet të sillemi ndryshe”, vlerëson ai, duke e krahasuar këtë sjellje me atë të një krimineli që shmang vendin e krimit jo për arsye morale, por për të mos u komprometuar.
Në reagimin e tij, Memetaj shprehet se kjo formë e instrumentalizimit të mediave përbën një nivel të ri të përbuzjes ndaj publikut dhe gazetarisë, duke e cilësuar këtë sjellje si thellësisht të neveritshme në planin etik dhe politik.
