Ndonëse se u promovua me shumë bujë si një hap i madh për mbrojtjen e të rinjve, propozim-ligji për lojërat e fatit me të cilin kazinot parashihen të mos lejohen pranë shkollave po zvarritet. Nuk ka datë konkrete se kur do të miratohet, shkruan Portalb.mk.
Pavarësisht se u tha se ky propozim do vendosej në rend dite në muajin shtator, kjo nuk u bë.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi në brifing me gazetarët theksoi se pasi të përfundojë periudha zgjedhore ligji do të vendoset në rend dite.
“Jemi në koordinim me qeverinë. Qeveria ka kërkuar që të pritet fundi i zgjedhjeve. Sa të përfundojnë zgjedhjet ne do e vendosim në rend dite”, tha Gashi.
Në ndërkohë, bastoret dhe kazinotë vazhdojnë të qëndrojnë shumë afër shkollave.
Kujtojmë se Qeveria e Maqedonisë së Veriut më 16 korrik e miratoi këtë propozim-ligj, ndërsa më 7 gusht e dorëzuan në Parlament.
LEXO: Propozim-ligji për lojërat e fatit arriti në Kuvendin e RMV-së, nuk dihet kur do të miratohet
Për këtë ligj, opozita vazhdimisht ka akuzuar se qeveria mashtron qytetarët dhe se në praktikë kjo nuk do të zbatohet ashtu siç ata e promovojnë dhe se gënjejnë popullin.
Thelbi i ndryshimeve definohet në nenin 24, me të, kazinotë dhe klubet e lojërave të fatit që kanë makina video llotarie është paraparë të vendosen të paktën 500 metra larg shkollave fillore dhe të mesme.
Dispozitat ligjore pritet të hyjnë në fuqi më 1 korrik 2027.
Duke pasur parasysh se nuk i rendit ato si përjashtim, dispozita do të zbatohet edhe për kazinotë e vendosura brenda hoteleve, të cilat ndodhen gjysmë kilometri larg institucioneve arsimore.
Për dallim nga kazinotë dhe klubet me aparate, ndryshimet i përjashtojnë pikat e basteve, të cilat nuk do të duhet të zhvendosen dhe do të mbeten në vendet e tyre ekzistuese.
Ndaj ndryshimeve në industri reagoi Shoqata e Organizatorëve të Basteve Sportive të Maqedonisë, duke kërkuar që Qeveria të tërhiqet nga zgjidhja ligjore.
Përpjekje për të rregulluar industrinë e lojërave të fatit ka pasur disa herë në të kaluarën, përfshirë edhe gjatë qeverisjes së mëparshme LSDM–BDI.
Në mars të vitit 2024, Parlamenti nuk arriti të miratojë Ligjin për Lojërat e Fatit dhe Lojërat Argëtuese, i cili do të parashihte që objektet e lojërave të fatit të zhvendoseshin më shumë se 500 metra nga shkollat fillore dhe të mesme.
Kjo ishte përpjekja e dytë për të miratuar një zgjidhje ligjore pasi ligji u miratua nga deputetët më 7 shkurt, por Presidenti i atëhershëm i vendit, Stevo Pendarovski, nuk e nënshkroi Dekretin.
