Anëtari i Lëvizjes BESA, Daut Memishi, njëherësh pjesë e koalicionit opozitar VLEN, ka reaguar përmes një postimi në Facebook pas deklaratës së nënkryetarit të ASH-së, Nazim Taipi. Ky i fundit kishte pohuar se partia e tij përfaqëson 50% të koalicionit VLEN.
Memishi ka vënë në dyshim këtë pretendim, duke kërkuar nga Taipi që të analizojë realisht gjendjen e strukturave partiake në terren.
“Dëgjova deklaratën e mikut tim, njëherit edhe ish partneri i koalicionit VLEN, se ‘partia’ e tij (pa vulë) përbën 50% të koalicionit. Nuk e di ku i kanë bërë këto anketa. Sugjerim miqësor – dil e shihi strukturat e partisë tënde në Tearcë dhe vendbanimet tjera, për të parë se sa janë të zhgënjyer me tradhtinë që u bëtë”, shkroi Memishi.
Ai theksoi se 107 mijë votues kishin besuar në ndryshimin që premtoi VLEN, por sipas tij, ky ndryshim po rrezikohet nga afrimi me BDI-në.
“Shumë keq për ju, e shumë mirë për shqiptarët. Ju urojmë sukses. Elektorati juaj është antipodi i BDI-së, por matësi më i mirë janë zgjedhjet, dhe vlerësuesi më i mirë është populli”, përfundoi Memishi./ZYRTARE.net/