Në një tubim në Mitrovicë, Albin Kurti ofendoi kandidatin e PDK-së Arian Tahiri duke e quajtur “gomë rezervë” teksa kërkoi mbështetje për Faton Pecin
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një tubimi zgjedhor në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, ka përdorur gjuhë ofenduese ndaj kandidatit të PDK-së për kryetar të komunës, Arian Tahiri, duke e krahasuar me “gomë rezervë”.
Në përpjekje për të mbështetur kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, Kurti u shpreh me tone të ashpra ndaj kundërshtarit politik.
“Kjo partia tjetër që ka qenë në pushtet këto katër vjet, nuk po garon edhe për një mandat tjetër, prandaj kryetari aktual edhe naj ditë edhe partia e tij kanë vendos me garu me gomë rezervë”, tha Kurti para qytetarëve të pranishëm.
Ai vazhdoi duke theksuar se një qeverisje e tillë nuk mund të çojë përpara Mitrovicën.
“Po nuk shkohet në Mitrovicë e për Mitrovicën me gomë rezervë. E me që s’ki çka ju bon, kryetari nuk po e don edhe një mandat, prandaj, nesër, e diel, 12 tetor, keni shansin që gomën rezervë me ua shfry e me ua qit në bandash e me ba Faton Pecin kryetar”, shtoi Kurti.