Kurti: S’është e drejtë ta shpallim Listën Serbe organizatë terroriste

SHBA-ja e vlerësoi vendimin e KQZ-së për moscertifikimin e Listës Serbe si një tentim “përçarës” dhe si një përpjekje me “vizion të ngushtë” nga ana e LVV-së.

Komisioni Qendror Zgjedhor sërish nuk e certifikoi Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ-së, Sami Kurteshi e Alban Krasniqi votuan kundër me argumentin se kjo listë përmban elemente terroriste.

LVV-ja në disa raste synoi të pengoi certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet përmes procedurave administrative në kuadër të KQZ-së. Në të gjitha rastet – sikur edhe në rastin e fundit – Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa urdhëroi KQZ-në që ta certifikojë Listën Serbe.

I pyetur për këtë çështje, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, vlerësoi se Lista Serbe është një subjekt politik dhe se Kosova nuk funksionon si shtet policor që qeveria të shpallë një parti politike si organizatë terroriste.

Një gjë të tillë, sipas tij, mund ta bëjnë vetëm gjykatat dhe se “nuk është e drejtë” që këtë ta bëjë qeveria.

“Unë besoj që nuk është e drejtë, na duhen vendime gjyqësore lidhur me një parti politike, se është dallim normativ midis organizatave si ‘Mbrojta Civile’ dhe ‘Brigada Veriore’ në njërën anë që figuronin në organogramin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe kishin paramilitarë të armatosur në Kosovë me partinë Lista Serbe”, tha Kurti.

Por pse ka kaq shumë insistim për moscertifikimin e Listës Serbe në KQZ, kur formulën se si mund të “eliminohet” Lista Serbe nga skena politike po e paska të njohur edhe vetë lideri?

Kufizimi i pjesëmarrjes së një partie politike, sipas ekspertëve ligjor, duhet të bëhet vetëm përmes një procesi gjyqësor dhe me bazë ligjore të qartë.

Sipas tyre, çdo parti e regjistruar certifikohet automatikisht, përveç në rastet kur nuk i plotëson kërkesat administrative ose kur kandidatët individualë kanë papërshtatshmëri juridike (p.sh., dënime penale efektive brenda tre viteve). Nuk ekziston asnjë akt që shpall Listën Serbe si organizatë terroriste, ndaj në praktikë, moscertifikimi i saj nuk ka bazë ligjore të fortë.

Për Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, KQZ-ja me këtë vendim i tejkaloi kompetencat e saj dhe ka hyrë në një fushë “që i takon vetëm institucioneve të drejtësisë dhe të sigurisë”.

“Ligji është i qartë: çdo parti e regjistruar certifikohet automatikisht, përveçse kur nuk i plotëson kërkesat administrative. Sa i përket kandidatëve individualë, kufizimet zbatohen vetëm nëse kanë papërshtatshmëri juridike, përfshirë dënime penale me burgim efektiv në tri vitet e fundit”, ka argumentuar ai.

Në vlerësimin e tij, përderisa nuk ka një akt që shpall një subjekt si organizatë terroriste, ai trajtohet si çdo pjesëmarrës tjetër që plotëson kriteret formale.

Në anën tjetër për analistët politikë ky vendim i cili nuk ka asnjë bazë ligjore do t’i konvenojë më së shumti pikërisht narratives së Serbisë për shkelje të të drejtave të serbëve në Kosovë.

Si interes strategjik për Serbinë, e ka cilësuar, komentatori politik, Petrit Zogaj, retorikën kundër Listës Serbe në Kosovë.

“E para, Kurti dhe të tijtë po e paraqesin Listën Serbe si problem për Kosovën, e jo Serbinë si të tillë. E dyta, duke e luftuar një parti politike minoritare, Serbia po e ka shumë të lehtë argumentimin se Kosova po i cenon të drejtat e pakicës serbe në vend”.

Me këtë vendim, beson Zogaj, Kosova, me vetëdije, po i shtyn serbët lokalë që asnjëherë të mos e konsiderojnë Kosovën si shtetin e tyre.

“E kjo i garanton Kosovës destabilitet të përhershëm, deri në ndonjë aranzhim tjetër administrativ. E gjithë kjo po bëhet vetëm e vetëm që Kurti të vazhdojë të qëndrojë në pushtet — pa asnjë kërkesë për llogaridhënie për qeverisjen e tij, apo qoftë edhe diskutim për bllokadën njëvjeçare”.

Në të njëjtën linjë të mendimit është edhe Albert Krasniqi nga Demokracia Plus.

“Moscertifikimi i Listës Serbe në këtë fazë prodhon vetëm një efekt konkret: i jep Serbisë argument shtesë për të pretenduar se të drejtat politike të komunitetit serb në Kosovë po cenohen nga shumica shqiptare”.

Ky veprim i pamatur, që ndjek të njëjtin skenar të ditur paraprakisht që përfundon me dështim, beson ai, nuk është as serioz dhe as i përgjegjshëm.

“Po të ishte një qasje serioze, do të ndiqeshin rrugët institucionale dhe ligjore për shpalljen e saj organizatë terroriste dhe kjo temë do të mbyllej moti. Pikërisht sepse nuk është e tillë, kjo manovër procedurale që bëhet për një grusht votash, vetëm sa e dobëson pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe i hap rrugë forcimit të kompetencave të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe – një rezultat tërësisht i kundërt me interesat strategjike të vendit”.

Për Afrim Kasollin, analistin politik, LVV-ja e ka shndërruar këtë kauzë në një mjet për përfitime politike dhe strategji për “burgosjen” e partive opozitare brenda narracionit të saj, në vend se ta trajtojë institucionalisht, proceduralisht dhe në përputhje me standarde ligjore diskulafikimin e Listës Serbe.

“Partia në pushtet deri më tani vetëm ka improvizuar lojëra momentale politike për ta shtuar adrenalinën elektorale”, thotë ai për Albanian Post.

Dhe, në vlerësimin e Kasollit, LVV-ja doli e suksesshme në këtë drejtim.

“Kjo u vërejt qartë me më mënyrën se si votuan partitë opozitare, duke abstenuar në KQZ kur ishte radha e certifikimit të Listës Serbe. Sot të gjitha partitë ‘tradicionale’ janë të ‘detyruara’ që të mos votojnë ashtu siç ka qenë deri më tani praktika parlamentare e zgjedhjes së nënkryetareve të Kuvendit të Kosovës nga komuniteti pakicë, vetëm që t’i ruajnë virtytet patriotike në sytë e Lëvizjes Vetëvendosje, pavarësisht faktit se akte të tilla mund të jenë në antinomi me normat kushtetuese dhe ta thellojnë edhe me tej armiqësinë e Kosovës me Perëndimin”, potencon ai.

Në këtë kontekst, Kasolli beson se LVV-ja ka interes që sa më shumë të forcohet Lista Serbe në kuadër të komunitetit serb.

“Në mënyrë që të ketë edhe më shumë material politik elektoral për ta dominuar skenën politike në pjesën shqiptare si partia e vetme që po bënë përpjekje titanike për t’ia pamundësuar asaj qasjen në pushtet si në nivelin lokal ashtu edhe qendror”.

Në vlerësimin e ligjëruesit të medias dhe konfliktit në Universitetin Adger, Abit Hoxha, LVV-ja po ta shpallte organizatë terroriste Listën Serbe, një gjë e tillë do të krijonte probleme politike, andaj ajo, beson ai, po dëshiron që ta eliminojë një problem politik me mjete administrative.

“LVV mendoj se po tenton të kryejë dy punë me një veprim. Së pari, ta heqë Listën Serbe nga ekuacioni politik, si dhe të fajësojë institucionet ‘gjoja’ të kapura nga opozita”, thotë ai për AP.

Në anën tjetër për analistin politik, Avni Arifi, LVV-ja nuk e ka për qëllim primar mos-certifikimin e Listës Serbe, por krijimin e narracionit se Albin Kurti, është patriot, e të tjerët jo.

“Ta kish pasur përnjëmend, e kishte shpallur në mbledhje të qeverisë si organizatë kriminale dhe nuk e kishte deleguar këtë vendim në KQZ”, thotë ai për AP.

SHBA-ja e vlerësoi vendimin e KQZ-së për moscertifikimin e Listës Serbe si një tentim “përçarës” dhe si një përpjekje me “vizion të ngushtë” nga ana e LVV-së.

Veprime të tilla, sipas SHBA-së, minojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së, përfshirë rifillimin e dialogut strategjik për të avancuar mundësitë për bizneset amerikane dhe kosovare.

Për këtë rast, SHBA-ja e bëri përgjegjëse vetëm LVV-në, përkundër që Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar e Misioni i OSBE-së në Kosovë e shpërndan fajin edhe te partitë e tjera politike në vend, të cilat abstenuan gjatë votimit.

REKLAMË

REKLAMË

lajmet e fundit

LSDM: Qeveria VMRO-VLEN e përfshirë në privatizimin skandaloz- privatizuesi serb i ‘Stopanska Bankës- Manastir’ lidhet me Milan Radojçiqin

LSDM ka publikuar akuzat e radhës ndaj qeverisë së Hristijan Mickoskit, duke pretenduar se privatizimi i “Stopanska Bankës Sh.A Manastir” është pjesë e një...

Debati për emigrantët ndez skenën politike: kryeministri akuzon Filipçen për frikësim të qytetarëve

Autoritetet duhet ta ndjekin penalisht liderin e LSDM-së, Venko Filipçe, për frikësimin e qytetarëve se Maqedonia do të mbushet me emigrantë në pranverë, kërkoi...

Peci merr detyrën si kryetar i Mitrovicës nga Hamza: Kam ardhur i armatosur që t’i dal zot qytetit

Kryetari i ri i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci ka pranuar sot zyrtarisht detyrën nga ish kryetari i këtij qyteti, Bedri Hamza. Peci në betimin...

Bankieri i Vuçiçit në zemër të Maqedonisë?- LSDM: ‘Alta Banka’ e Vuçiçit u fut në Maqedoni si dhuratë për VMRO-DPMNE-në

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) në opozitë, konkretisht ekipi i saj i ashtuquajtur antikorrupsion, sot njoftoi “bombë” të re, përkatësisht ata prezantuan gjetjet për...

Dalin pamje nga vendi ku u rrëzua avioni me dy shtetas të Kosovës në Liqenin e Mavrovës

Një avion i vogël është rrëzuar në Liqenin e Mavrovës gjatë ditës së sotme. Në avion kanë qenë dy persona, prej të cilëve njëri...

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu