Pasi Aleancës për Shqiptarët u largua nga koalicioni VLEN, e mandej duke e debuar po te njejten nga Qeverina e kryeministrit Hristijan Mickoski, ka zbuluar një anë të errët për njërin nga projektet më të shumëfolura mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Pavarësisht zotimeve të vazhdueshme për ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë, ky projekt nuk ka të ngjarë të realizohet gjatë katër viteve të ardhshme. Sipas nënkryetarit të ASh-së, Nazim Taipi, VMRO-DPMNE nuk po shfaq interes për projektet në zonat shqiptare. Ndërkaq, ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministri i Infrastrukturës Liburn Aliu e zëvendësministri Hysen Durmishi e kishin trumpetuar me të madhe rrugën me gjatësi 40.6 kilometra dhe tunelin 6.4 kilometërsh që lidhin Prizrenin me Tetovën.
Col Mehmeti
Para dy vitesh, Lëvizja Vetëvendosje e premtonte mrekullinë me rrugën e re që do të lidhte Prizrenin me Tetovën.
Sipas ish-kryeministrit Albin Kurti, nga 113 kilometra sa ka rruga aktuale që kalon nëpër Prevallë e Glloboçicë, ajo do të shkurtohej në më pak se 50 kilometra, dhe nga dy orë e gjysmë udhëtimi do të merrte më pak se një orë.
Megjithatë, kjo lidhje e re rrugore zor që do të realizohet në katër vitet e ardhshme.
Qeveria e udhëhequr nga kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski nuk po tregon interes për t’i mbështetur projektet në zonat shqiptare.
Këtë e ka bërë të ditur zëvendësdrejtori në largim i Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore në Maqedoninë e Veriut, Nazim Taipi.
Në një intervistë në emisionin Daily Click në TV 21, ai ka thënë se puna për projektin e rrugës Tetovë-Prizren është në pikën zero.
“Mirë që ka filluar, por nuk besoj aspak se kjo rrugë do të bëhet brenda këtij mandati”, ka thënë Taipi, i cili është edhe nënkryetar i Aleancës për Shqiptarët, parti kjo që sapo është larguar nga koalicioni VLEN që është partner qeverisës me VMRO-DPMNE.
“Kjo do të thotë se në katër vitet e ardhshme nuk duhet të presim se do të bëhet kjo rrugë.”
Muaj më parë, kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski kishte komentuar projektin që lidh dy anët e Sharrit, duke theksuar se kjo rrugë ka një tunel i cili duhet të punohet bashkërisht.
“Është sjell vendimi për formimin e komsionit të përbashkët të dy vendeve i cili praktikisht do ta lehtësojë këtë projekt që është në proces të realizimit. Se sa kohë do të marrë ai, unë pres që jo më pak se 4 deri në 5 vjet”, kishte thënë Mickoski.
Në gusht të 2023-s, zëvendësministri i Infrastrukturës Hysen Durmishi kishte bërë me dije se kostoja e këtij projekti të madh infrastrukturor do të ishte rreth 200 milionë euro.
Nga kjo shumë, sipas tij, 150 milionë euro ishin paraparë për tunelin 6.4 kilometërsh përmes malit të Korfit (Vërtopit), i cili do të jetë 600 metra më i gjatë sesa ai i Kalimashit.
Gjithnjë sipas Durmishit, 50 milionë euro të tjera ishin paraparë për rrugën në të dyja anët e tunelit që do ta bënte lidhjen Prizren-Tetovë.
Kosova i filloi punimet më 13 gusht të vitit të kaluar, 11 ditë pasi u nënshkruan kontratat për realizimin e punimeve për këtë projekt.
Paraprakisht, më 23 maj 2024, në Kuvendin e Kosovës ishte kaluar propozimi për miratimin e marrëveshjes për bashkëfinancimin e punimeve në rrugën Tetovë-Prizren.
Ndërkaq sipas marrëveshjes së nënshkruar mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, në janar të vitit të kaluar, vetëm finalizimi i dokumenteve për projektimin e tunelit do të merrte një vit e gjysmë, më saktë deri kah mesi i vitit 2026.
Ujdia në fjalë parashihte që financimi i tunelit të bëhej në vlerë proporcionale sipas gjatësisë së tunelit në territorin e secilës anë. /NACIONALE/