Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) sot nga shtypshkronja “Kiro Dandaro” në Manastir shpërndan 4.613.438 fletëvotime për zgjedhjet lokale që do të mbahen të dielën më 19 tetor, ndërsa fleta më gjatë e votimit është 500 milimetra ose gjysmë metri.
Në një deklaratë për media, kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Boris Kondarko, theksoi se shtatëmbëdhjetë ekipe të KSHZ-së së bashku me sigurimin e MPB-së kryejnë shpërndarje të pandërprerë në të gjitha komisionet zgjedhore në vend.
Konform me afatet ligjore dhe planin e KSHZ-së sot nga shtypshkronja ‘Kiro Dandaro’ në Manastir, KSHZ-ja po shpërndan dhe dorëzon të gjithë materialin zgjedhor konfidencial në të gjitha 80 Komisionet zgjedhore komunale (KZK) dhe komisionin e Qytetit të Shkupit. Materiali zgjedhor konfidencial përbëhet nga të gjitha certifikatat e shtypura të listave zgjedhore, certifikatat e shtypura të formularëve origjinal të procesverbaleve për çdo vendvotim dhe çdo KZK, si dhe të gjitha fletëtvotimet. Shtatëmbëdhjetë ekipe të KSHZ-së gjatë ditës së bashku me sigurimin e MPB-së do të bëjnë shpërndarjen e materialit. Janë shtypur gjithsej 4.613.438 fletëvotime për të gjithë vendin dhe këto janë fletëvotime për kryetarë bashkie, këshilltarë, si dhe fletëvotime për Qytetin e Shkupit, veçmas për kryetarët e komunave dhe veçmas për Këshillin e Qytetit të Shkupit”, theksoi Kondarko.
Shtypshkronja e Manastirit ka përpunuar 254.262 faqe të shtypura të listave të votuesve dhe certifikatave të veçanta nga listat zgjedhore, pastaj 8.692 formularë origjinal të procesverbaleve si material konfidencial zgjedhor për përcaktimin e rezultateve të zgjedhjeve dhe 8.330 kopje të Braillit.
“Në listën e vetme të votuesve janë të regjistruar 1.832.415 votues, ndërsa në vend ka 3.480, por të dielën do të hapen 3.474 vendvotime sepse gjashtë vendvotime nuk kanë popullsi, pra zero votues, theksoi kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko.
Fletëvotimi më i gjatë është 500 milimetra ose gjysmë metri, informoi Vangel Talevski, drejtor i përgjithshëm i SHA shtypshkronjës “Kiro Dandaro”- Manastir.
“Materialin konfidencial e shtypëm në kohë rekord, dy ditë para afatit të caktuar. Përvoja e kaluar na mundësoi ta realizojmë me sukses këtë sfidë. Këtë vit listat ishin mjaft të gjata, por i përgatitëm materialet në përputhje me kërkesat e KSHZ-së dhe gjithçka përfundoi mirë. Fletët e votimit kanë mbrojtje të dyfishtë të dukshme dhe të padukshme dhe janë të përgatitur për zgjedhje të suksesshme. Fletëvotimi më i gjatë është 500 milimetra”, konfirmoi Talevski.