Kanadezët bashkohen kundër Trump. Marrëdhënia e dikurshme me SHBA-në i përket historisë!

Kanada- Për kryeministrin e ri të Kanadasë, Mark Carney, marrëdhënia e dikurshme me SHBA-në i përket historisë. Është bërë e qartë se SHBA-të nuk janë më një partner i besueshëm, tha ai.

Kur Donald Trump tha se do ta “gëlltisë” Kanadanë si shtetin e 51 federal, u pa fillimisht si shaka pa kripë. Por Donald Trump e përsëriti kërcënimin aq shpesh sa qytetarët në vendin e dytë më të madh në botë u desh të reagonin. Përgjigja ndaj Trump: një valë e paprecedentë solidariteti mes kanadezëve.

Nën moton “Bërrylat lart”, (Elbow up) kanadezët po mbrohen kundër politikave të presidentit të SHBA. Shumë qytetarë anulojnë pushimet në Florida e Arizona. Vetëm në muajin shkurt, në kufi janë regjistruar 500 mijë hyrje më pak në SHBA sesa një vit më parë. Hera e fundit që shifrat ishin kaq të ulëta ishte në kohën e pandemisë Corona. Edhe produktet amerikane bojkotohen. Në supermarkete shënohen dukshëm produktet me etiketën “Made in Canada” dhe hiqet nga raftet verërat kaliforneze.

“Kjo na zgjoi ne kanadezët dhe na bëri të mendojmë se çfarë do të thotë të jesh kanadez”, i tha një qytetare portalit gjerman “tagesschau”. Shumë kanadezë janë tani të shqetësuar për të ardhmen duke vënë re varësinë e madhe nga SHBA. “Ardhja e Donald Trump në detyrë dhe kërcënimi me tarifa ndëshkuese e bëri të qartë se sa e cenueshme është Kanadaja”, thotë një qytetare tjetër për “tagesschau”.

Carney: Nuk ka kthim prapa

Kanadaja dhe SHBA-ja – para rikthimit të presidentit Donald Trump ishin dy vende mike me ekonomi të ndërthurura ngushtë. 70 për qind e të gjitha eksporteve kanadeze shkojnë në SHBA. Po për kryeministrin e ri të Kanadasë Carney, marrëdhënia e dikurshme me SHBA-në i përket historisë. Është bërë e qartë se SHBA-të nuk janë më një partner i besueshëm, tha ai. Por Carney ka theksuar, se do të vazhdojë të flasë me presidentin amerikan Trump. Një telefonatë është planifikuar në ditët në vijim.

Trump ndryshon marrëdhënien mes dy vendeve mike

Politika agresive doganore e presidentit amerikan Donald Trump shihet si një pikë kthese në marrëdhëniet e Kanadasë me SHBA-në. Kërcënimi për vendosjen e tarifave të mëtejshme ndëshkuese ndaj Kanadasë shkakton frikë dhe zemërim. Duket se një epokë po merr fund. “Marrëdhënia e vjetër që kishim me Shtetet e Bashkuara, e cila bazohej në integrimin e thelluar të ekonomive tona dhe bashkëpunimin e ngushtë në sigurinë dhe fushën ushtarake, ka përfunduar,” u tha Carney gazetarëve në Otava. Me deklaratat e tij, Trump ka ndryshuar përgjithmonë marrëdhëniet mes vendeve fqinje.

Në të njëjtën kohë, Carney njoftoi, se nuk do të negociojë me qeverinë amerikane për çështjet tregtare për sa kohë që presidenti nuk tregon “respekt” për Kanadanë. Në javët e fundit, Trump ka kërcënuar vazhdimisht se do të aneksojë vendin fqinj verior dhe është tallur me paraardhësin e Carney, Justin Trudeau si “guvernator” të një “shteti të 51-të” të ardhshëm të SHBA-së. Carney u betua si kreu i qeverisë më 14 mars, por nuk ka folur me Trump që nga marrja e detyrës, kohë jashtëzakonisht e gjatë për dy vendet historikisht të afërta aleate.

Mark Carney e bëri të qartë gjithashtu, se vendi i tij do të përgjigjet me kundërmasa ndaj tarifave të importit për automjetet, të vendosura nga SHBA të mërkurën. “Përgjigja jonë ndaj këtyre tarifave të fundit është të luftojmë, mbrojmë, ndërtojmë”, shtoi ai. Kundërpërgjigja kanadeze do të kishte si synim “ndikimin më të madh të mundshëm në Shtetet e Bashkuara dhe efektin më të vogël të mundshëm në Kanada”./DW

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

REKLAMË

REKLAMË

lajmet e fundit

Mexhiti: S’ka më na jepni votën, do ta bëjmë këtë ose atë! E bëjmë punën, ju e vlerësoni

Kandidati i VLEN-it për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, pasditen e sotme zhvilloi një takim me banorët e Çairit të Vjetër në...

Krizë në VLEN Gostivar: Shefi i Shtabit Zgjedhor, Fisnik Ristemi, jep dorëheqje – Lista e këshilltarëve, shkak përçarjeje

Në prag të zgjedhjeve lokale, koalicioni VLEN në Gostivar përballet me krizë të brendshme: Shefi i shtabit zgjedhor, Fisnik Ristemi, ka dhënë dorëheqje nga...

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut refuzojnë të mbështesin rezolutën për Palestinën

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ishin mes 12 vendeve që abstenuan në votimin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila miratoi...

Skandal politik në Tetovë: Adnan Azizi i kërkon falje Mickoskit – “Nuk e përsëris më”!

TetovaSot sipas burimeve të saja zbulon se deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, është detyruar t’i kërkojë falje kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski,...

LAJMI I FUNDIT: Deklaratë e sapolëshuar nga Ambasada Amerikane: Amerika e prishë alancën me Kosovën

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të pezullojnë përkohësisht Dialogun Strategjik të planifikuar me Kosovën, për shkak të shqetësimeve mbi veprimet e qeverisë...

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu