Pas deklaratës së Izet Mexhiti në TV21, ku nuk e mohoi mundësinë që Aleanca për Shqiptarët të jetë pjesë e qeverisë, ka reaguar ashpër lideri i partisë, Ziadin Sela.
Në një postim të fuqishëm dhe të drejtpërdrejtë, Sela ka theksuar:
“Aq shumë është përzier skena politike, tha Izeti, e nuk e din me cilin ka komunikuar… E ngatërruar është gënjeshtra, Izet, propaganda dhe e pavërteta. E vërteta është çdoherë e pastër, e pa përzier – është vetëm një e s’mund të jetë dy e as më shumë.”
Duke i drejtuar një mesazh të qartë Mexhitit, Sela ka shkruar:
“Ti në komunikim me mua, JO.
Unë pjesë e qeverisë, JO.
Unë në krah të atyre që duan të na zhbëjnë të drejtat si popull, JO.”
Ai gjithashtu ka theksuar se matjet e arritura politike nuk bëhen nga privilegjet e pushtetit, por nga kontributi për barazi për shqiptarët.
Në përfundim, Sela ka paralajmëruar për përballje të ashpër në parlament:
“Do kemi punë bashkë në parlament me ju e me VMRO-në. Si çdo herë, pushteti nga njëra anë dhe unë nga ana tjetër. Jo në krah, por ballë për ballë!”
Ky reagim vjen si kundërpërgjigje ndaj spekulimeve për një afrim të mundshëm të Aleancës për Shqiptarët me qeverinë, duke e rikthyer tensionin në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
