Sot pranova detyrën si Kryetar i Komunës së Çairit.
Nga sot po rikthehem në vendin tim, mes njerëzve të mi, me nder, me përulësi dhe me mirënjohje të thellë.
Po rikthehem aty ku filloi gjithçka.
Aty ku mësova çfarë do të thotë të punosh për njerëzit, të dëgjosh hallet e tyre dhe të ndash me ta çdo arritje.
Çairi më ka mbështetur gjithmonë, në çdo hap të karrierës sime politike. Në momentet më të rëndësishme, Çairi ka qenë aty me besim, me përkrahje dhe me forcë. Edhe kësaj here, Çairi ishte bindshëm krah meje. Më dha një fitore të pakontestueshme, që edhe një herë e dëshmoi fuqinë dhe peshën tonë politike.
Ky votim masiv ishte një deklaratë e qartë nga qytetarët e Çairit, se duan vazhdimësi, duan zhvillim, duan punë. Ishte një mesazh besimi, vlerësimi dhe mbështetjeje që e ndjej si përgjegjësi të madhe ndaj secilit prej jush.
Unë e di çfarë pret Çairi.
Pret punë të ndershme, rezultate konkrete dhe një qeverisje që nuk njeh asgjë më të shenjtë se interesi publik. Dhe këtë do ta ketë.
Prandaj, sot kthehem për t’ia kthyer Çairit këtë besim me përkushtim, me vizion dhe me punë.
Rikthehem sepse Çairi është pjesë e identitetit tim. Është historia ime personale dhe misioni im publik. Në çdo fazë të jetës sime, Çairi ka qenë forca që më ka mbajtur drejt, që më ka kujtuar pse ia vlen të punosh për njerëzit e tu.
Çairi im,
Përpara nesh qëndron një kapitull i ri.
Një periudhë që do të përcaktojë jo vetëm si do të zhvillohet Çairi, por edhe çfarë modeli qeverisjeje do të ndërtojmë për gjithë vendin. Ne do të punojmë bashkë me ju, me plan të qartë, me transparencë dhe me guxim për të bërë ndryshime të mëdha.
E di që përpara kemi shumë punë. Por kam besim.
Kam besim te njerëzit e Çairit, te energjia, te talenti dhe te dashuria e tyre, për këtë vend. Dhe çdo arritje që do të vijë, do të mbajë vulën tuaj, juve, që nuk u dorëzuat kurrë.
Të dashur qytetarë,
Faleminderit për besimin. Faleminderit për mbështetjen. Faleminderit për fitoren e bindshme. Dhe unë ju premtoj se do ta udhëheq këtë komunë të çmuar me nder, me përgjegjësi dhe me dashuri të sinqertë për njerëzit e mi.
Nga sot fillon puna për Çairin që duam. Nga sot fillon KOHA jonë!
