Irani thyen armëpushimin? – Izraeli e pretendon, Teherani e mohon

Ushtria izraelite ka njoftuar së fundmi se ka identifikuar raketa të lëshuara nga Irani, edhe pas armëpushimit.

Por, sipas medias gjysmëzyrtare iraniane IRIB, Irani ka mohuar pretendimet se ka qëlluar me raketa Izraelin.

Sipas ushtrisë, sistemet e mbrojtjes ajrore po “operojnë për të kapur kërcënimin” dhe po u thotë njerëzve të shkojnë në strehimore dhe të qëndrojnë atje deri në njoftim të mëtejshëm.

Detajet e lëshimit të raketave të raportuara janë ende të paqarta dhe Irani ende nuk e ka konfirmuar sulmin.

Kjo vjen pasi Izraeli tha se pranoi armëpushimin.

Ministri i Jashtëm i Iranit tha më parë se do t’i ndalte sulmet e tij vetëm nëse Izraeli bënte të njëjtën gjë.

Ndërkohë ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka nxjerrë një deklaratë, duke thënë se ka urdhëruar Forcat Mbrojtëse të Izraelit të “përgjigjen me forcë ndaj shkeljes së armëpushimit nga Irani me sulme intensive kundër objektivave të regjimit në zemër të Teheranit”.

The Times of Israel tha se Irani qëlloi dy raketa balistike dhe se të dyja u kapën.

Më herët, Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë në një postim në Truth Social se “armëpushimi tani është në fuqi”.

“Ju lutem mos e shkelni atë!”, ka shtuar ai.

As Irani dhe as Izraeli nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht marrëveshjen e shpallur më parë nga Trump për t’i dhënë fund konfliktit që ka vrarë qindra njerëz në Iran dhe dy duzina në Izrael.

Postimi i Presidentit Trump në mediat sociale, i cili njoftonte armëpushimin midis Iranit dhe Izraelit, ishte planifikuar të fillonte “përafërsisht 6 orë” nga koha kur ai bëri njoftimin më herët gjatë natës në SHBA. Kjo kohë kaloi.

Trump ka thënë se është arritur një armëpushim të plotë mes Izraelit dhe Iranit.

Përmes një publikimi në median sociale Truth Social, Trump ka uruar botën për arritjen e këtij armëpushimi dhe ka njoftuar se do të hyjë në fuqi pas gjashtë orësh.

“Është rënë dakord plotësisht midis Izraelit dhe Iranit që do të ketë një armëpushim të plotë dhe total (përafërsisht në 6 orë nga tani, kur Izraeli dhe Irani të jenë tërhequr dhe të kenë përfunduar misionet e tyre të fundit në zhvillim e sipër!)”, shkroi Trump.

Pritet vetëm përmbyllja e misioneve të fundit nga secila palë, siç e komentoi vetë Trump, pa thënë asnjë fjalë mbi pasurimin e uraniumit nga Irani. Dhe me asnjë koment as për luftën e Izraelit në Gaza.

“Me supozimin se gjithçka funksionon siç duhet, gjë që do të funksionojë, do të doja të përgëzoja të dy vendet, Izraelin dhe Iranin, për qëndrueshmërinë, guximin dhe inteligjencën për t’i dhënë fund asaj që duhet të quhet LUFTË 12-DITORE”, shkroi Trump.

“Kjo është një Luftë që mund të kishte vazhduar me vite dhe të kishte shkatërruar të gjithë Lindjen e Mesme, por nuk ndodhi dhe nuk do të ndodhë kurrë!”, shtoi më tej Trump.

Ndërsa, e mbylli me disa lutje:

“Zoti e bekoftë Izraelin, Zoti e bekoftë Iranin, Zoti e bekoftë Lindjen e Mesme, Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Zoti e bekoftë botën!”.

Teksa i komunikoi botës se ishte arritur akordi mes vendeve dhe se besonte se nuk do të shkelej, Trump e quajti të gjithën një epokë të re për Lindjen e Mesme, pa dhënë shumë detaje.

Mësohet se armëpushimi u arrit nëpërmjet ndërmjetësimit të Katarit dhe Amerikës midis Izraelit dhe Iranit, thanë burime të njohura me çështjen.

Pas sulmit ndaj bazës amerikane, Irani i përcolli Shtëpisë së Bardhë një mesazh nëpërmjet Katarit se nuk do të kryente sulme të mëtejshme dhe se përgjigja e tij kishte mbaruar, sipas një burimi të njohur me detajet.

Shtëpia e Bardhë iu përgjigj Iranit me mesazhin e vet, duke theksuar se nuk do t’i përgjigjej ushtarakisht sulmit iranian dhe se Shtetet e Bashkuara ishin gati të rifillonin negociatat për një marrëveshje bërthamore.

Por teksa agoi në Izrael dhe Iran, mbizotëroi konfuzioni nëse të dy vendet ishin ende në luftë.

Izraelitët, të cilët ranë në gjumë nga lajmi se ishte rënë dakord për një armëpushim, u zgjuan nga katër paralajmërime të njëpasnjëshme për raketa, duke u drejtuar drejt strehimoreve teksa një raketë goditi një ndërtesë banimi në Be’er Sheva, duke vrarë tre persona, sipas qendrës izraelite të zjarrfikësve dhe shpëtimit.

Irani po ashtu përjetoi disa nga bombardimet më intensive izraelite gjatë natës, me një përdorues të mediave sociale në Teheran që shkroi se “bombardimet sonte në Teheran ishin jashtëzakonisht intensive”.

“Për një orë të plotë shpërthimet nuk ndaleshin. Ne jemi një popull krejtësisht i pambrojtur”.

Disa demokratë amerikanë sakaq kanë reaguar ndaj pretendimit të Trump për një armëpushim me lëvdata të lehta.

“Unë i jap vlerësime jashtëzakonisht të larta këtij ekipi të sigurisë kombëtare dhe Presidentit Trump për menaxhimin e kësaj krize”, tha Brett McGurk, ish-koordinatori i Presidentit Joe Biden për Lindjen e Mesme, në një intervistë me CNN.

“Por tani le të vazhdojmë. Ka një shans për diplomaci këtu”.

“Jam i lumtur që Presidenti Trump nuk po përshkallëzohet më tej”, shkroi kongresmenja Sara Jacobs në X.

“Por kjo nuk e ndryshon faktin se bombardimi i Iranit ishte i pamatur, jokushtetues dhe dëmton besueshmërinë e SHBA-ve për të negociuar një marrëveshje të përhershme dhe të verifikueshme”.

REKLAMË

REKLAMË

lajmet e fundit

Plas te BESA ne Tetovë

Sedat Rushani, anëtar i lartë i Lëvizjes Besa, me revoltë publike ndaj padrejtësive: "Çfarë më largohet, nuk më takonte. Çfarë më afrohet, është shkruar për...

“Izraeli dhe Irani shkelën armëpushimin”, Trump i zhgënjyer: Ata nuk e dinë çfarë dreqin po bëjnë

Ka reaguar presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili thotë se si Izraeli ashtu edhe Irani kanë shkelur armëpushimin në Lindjen e Mesme. Duke folur...

Trumpi shkruan prapë: Izraeli nuk do ta sulmojë Iranin, të gjithë aeroplanët do të kthehen

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shkruar përsëri në rrjetin “Truth Social”, pak minuta pasi tha se Irani dhe Izraeli e kishin...

Një tjetër armëpushim në horizont, kryeministri i Katarit: Izraeli dhe Hamasi do të negociojnë për Gazën brenda dy ditëve

Kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, ka deklaruar se Hamasi dhe Izraeli do të zhvillojnë negociata indirekte për një armëpushim në...

Trump i ashpër ndaj Izraelit: Mos i hidh ato bomba! Kthe pilotët në shtëpi

Pas shpalljes së armëpushimit mes Izraelit dhe Iranit, tensionet u rindezën brenda pak orësh, pasi Tel Avivi akuzoi Teheranin për shkelje të marrëveshjes, duke...

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu