I dërguari i SHBA-së për Kosovën gjatë kohës së luftës, Christopher Hill, ka folur për procesin e Rambujesë dhe raportet që kishte me ish-presidentin e Serbisë, Sllobodan Millosheviq. Ai ka treguar se Millosheviqi kishte përmendur me emër Hashim Thaçin gjatë takimeve të tyre dhe ishte i shqetësuar për rolin e UÇK-së në proces.“Millosheviqi mendonte se ne po largoheshim nga [Ibrahim] Rugova dhe mendonte se ishte gabim i rëndë, sepse ai besonte se do të duhej të merrej me UÇK-në, që kishte qëndrim të ashpër,” tha Hill.
“Rugova asnjëherë nuk kërkoi më pak se pavarësinë, por ai pranoi se nuk ishte i interesuar për luftën e armatosur,” shtoi ai.Sipas Hillit, Millosheviqi ishte i shqetësuar se SHBA-të do ta mënjanonin Rugovën dhe do ta zgjidhnin UÇK-në si partnere në bisedime.
“Pse shqetësohej për këtë, nuk jam i sigurt,” u shpreh diplomati amerikan.“Kishte ndjesi të tilla edhe te të tjerët, madje edhe brenda SHBA-së, ku disa mendonin se duhej komunikuar më shumë me UÇK-në.”
Hill foli edhe për procesin e Rambujesë, duke theksuar se në atë kohë ishte optimist se marrëveshja do të funksiononte.“Morëm sinjale nga shtabi i përgjithshëm i UÇK-së se e përkrahnin marrëveshjen, por kishim shqetësime se çfarë do të ndodhte në Serbi, pasi ajo nuk e nënshkroi,” tha ai.
Diplomati amerikan theksoi se pas Rambujesë, qëndrimet e palëve u ndanë qartë.“Shqiptarët u kthyen në Kosovë për të gjetur paqe, ndërsa pas Rambujesë serbët u kthyen në Serbi për t’u përgatitur për luftë,” deklaroi Hill.
I pyetur se kush e nënshkroi marrëveshjen, Hill tha se nuk i kujtohej saktësisht, por theksoi unitetin e delegacionit kosovar.“Ajo çfarë më kujtohet është se i gjithë delegacioni i Kosovës ishte dakord për marrëveshjen dhe ishin pozitivë për nënshkrimin në Paris. Isha shumë i kënaqur që ata, ndryshe nga më parë, në atë moment ishin në një mendje dhe të bashkuar,” tha ai.
Hill theksoi se marrëveshja e Rambujesë ishte edhe një mesazh për Serbinë, pavarësisht se ajo refuzoi ta nënshkruante.“Marrëveshja ishte një mesazh për serbët se kjo do të ndodhë dhe është mirë që të bëhen pjesë e procesit,” theksoi ai.
Sipas tij, ky proces hodhi poshtë pretendimet e Millosheviqit se “shqiptarët nuk pajtohen për asgjë”.“Ky ishte një mesazh i kundërt me atë që po thoshte Millosheviqi. Ne po i tregonim atij se e kishte gabim, sepse arritëm marrëveshjen. Por i thamë se do të ishte mirë që të mendonte për lëvizjen e ardhshme të Serbisë,” përfundoi Christopher Hill.
