Ramush Haradinaj, Kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka reaguar pasi kryetarët serbë në komunat veriore, përkatësisht ata nga Lista Serbe, kanë hequr fotografitë e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, dhe simbolet e Kosovës.
Haradinaj tha se është “i indinjuar” dhe kërkoi “urgjentisht t’i rikthejnë”.
Më tej, ai kërkoi nga BE dhe ShBA të ushtrojnë ndikimin e tyre.
Postimi i plotë:
I përgëzoj të gjithë kryetarët e komunave që kanë dhënë betimin, me theks të veçantë 5 kryetarët prej radhëve të AAK dhe i inkurajoj të vazhdojnë punën e tyre në interes të qytetarëve dhe gjithmonë në përputhje me ligjin e Kushtetutën.
Njëkohësisht jam tejet i indinjuar që kryetarët e Listës serbe në komunat veriore, i kanë hequr simbolet e Republikës së Kosovës dhe fotografinë e Presidentes dhe kërkoj që urgjentisht t’i rikthejnë në vendin që u takon. Po ashtu, edhe nga Komuniteti Ndërkombëtar, BE dhe ShBA, që të ushtrojnë ndikimin e tyre që kryetarët e komunave nga komuniteti serb ta respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe të punojnë në harmoni me to!
