Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën për hedhjen e aktakuzës ndaj Faton Klinakut dhe ka vendosur të pushojë procedurën penale ndaj tij për veprën penale “Kanosja” ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit. Procedura penale do të vazhdojë vetëm ndaj të akuzuarit tjetër, Nuredin Selmani.
Në seancën fillestare më 3 shtator 2025, të dy të akuzuarit, Klinaku dhe Selmani, kishin deklaruar pafajësinë e tyre.
Sipas aktakuzës, më 29 gusht 2023, Klinaku kishte shkruar në platformën sociale, Facebook: “më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”, duke e kanosur publikisht kryeministrin.
Aktvendimi i Gjykatës, i nxjerrë më 20 nëntor 2025 nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Rahman Beqiri, erdhi pas shqyrtimit të kundërshtimit të provave dhe kërkesës për hedhjen e aktakuzës, të paraqitur nga mbrojtësi i Klinakut, avokati Ramë Dreshaj. Ky aktvendim nuk mund të apelohet në Gjykatën e Apelit.
Sipas Gjykatës, aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës e datës 1 gusht 2025, duhet të hidhet pjesërisht, dhe procedura penale të pushohet vetëm ndaj Klinakut, i cili akuzohej për veprën penale “Kanosja” sipas nenit 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjykata thekson se nuk ka pasur kërkesë pasurore-juridike dhe shpenzimet e procedurës për këtë pjesë të aktakuzës do të mbulohen nga mjetet buxhetore të Gjykatës.
Pas plotfuqishmërisë së aktvendimit, procedura penale do të vazhdojë vetëm ndaj Nuredin Selmanit, i cili gjithashtu akuzohet për kanosje ndaj Kurtit sipas të njëjtit nen të Kodit Penal.
