Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Ljubço Georgievski në një intervistë për portalin “Racin” ka adresuar kritika të ashpra ndaj asaj që ai e quan hipokrizi politike në vend, duke vlerësuar se shteti është i ekspozuar ndaj një asimilimi të fortë serb, ndërkohë që diskursi publik dhe strukturat e vetëquajtura “patriotike” fokusohen pothuajse ekskluzivisht te narrativa e “bullgarizimit”.
Sipas Georgievskit, është shqetësues heshtja e institucioneve dhe e opinionit publik përballë pretendimeve serbe dhe uzurpimit kulturor. Ai thekson përdorimin gjithnjë e më të shpeshtë të termave si “Serbia Jugore” dhe “Serbia e Vjetër”, të cilët, sipas tij, përdoren pa asnjë reagim apo kundërshtim nga pala maqedonase.
“Jemi dëshmitarë të një uzurpimi të plotë, jo vetëm të historisë maqedonase, por edhe të së tashmes maqedonase”, thekson Georgievski, duke shtuar se askush nga patriotët e vetëshpallur nuk reagon ndaj kësaj çështjeje.
Ish-kryeministri ndalet veçanërisht edhe te gjendja e gjuhës maqedonase, për të cilën thotë se është e rrezikuar para së gjithash nga vetë maqedonasit. Ai ngre pyetjen se sa njerëz sot flasin maqedonishten standarde letrare, duke kritikuar rolin e mediave dhe industrisë muzikore, të cilat, sipas tij, nuk i respektojnë normat gjuhësore. “Mbrojtja e gjuhës duhet të nisë nga brenda”, nënvizon ai.
Në kontekstin e asimilimit kulturor, Georgievski vë në dukje se në dasma, pagëzime dhe festime të tjera, deri në 95 për qind e muzikës së luajtur është serbe, gjë që, sipas tij, bie në kontrast të fortë me thirrjet e vazhdueshme për patriotizëm maqedonas. Ai e cilëson këtë gjendje si “të tmerrshme dhe qesharake, por aspak argëtuese”.
Duke folur për historinë, Georgievski përmend “serbizimin radikal të historiografisë maqedonase”, i cili, sipas tij, shkon shumë më larg sesa akuzat për një të ashtuquajtur “bullgarizim”. Ai kujton se edhe udhëheqësit komunistë kishin një vijë të kuqe më të fortë ndaj politikës së Serbisë së Madhe, ndërsa sot, siç shprehet ai, po ndodh një rehabilitim i plotë i Jugosllavisë së Karagjorgjeviqëve në Maqedoninë e Veriut.
Si dëshmi shtesë, Georgievski thekson faktin se përfaqësues shtetërorë maqedonas marrin pjesë në përvjetorë të festave dhe ngjarjeve historike serbe, si Zebërnjaku, Kajmakçallani dhe beteja e Bregalnicës, ku sërish përdoren terma problematikë.
“Kë po e bëni budalla në këtë shtet?”, pyet ai.
Në fund, Georgievski adreson kritika edhe ndaj Bullgarisë në lidhje me Korridorin 8, duke vlerësuar se, pavarësisht deklaratave zyrtare, mungojnë projekte konkrete infrastrukturore nga ana bullgare.(INA)
