Një ngjarje e dhimbshme ka tronditur opinionin publik, pas pamjeve të dhunshme të goditjeve brutale të një fëmije nga bashkëmoshatarët e tij, pas një rrahjeje në grup në oborrin e një shkolle fillore në Saraj të Shkupit, përcjell INA.
Sipas Prokurorisë Themelore Publike, dy fëmijë 14-vjeçarë u sulmuan me grushte dhe shqelma nga një grup të miturish tjerë të moshave 14, 15 por edhe 13 vjeç, në momentin kur po largoheshin nga shkolla.
Si pasojë e dhunës, njëri prej tyre pësoi lëndime të rënda, përfshirë goditje serioze në kokë dhe tru, thyerje të hundës si dhe hematoma në trup, ndërsa fëmija tjetër pësoi me lëndime më të lehta. Pamjet e rënda vërshuan rrjetet sociale.
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të thellë edhe te nxënësit e tjerë që ndodheshin në oborrin e shkollës, duke rikthyer në vëmendje problemin e dhunës mes të miturve dhe pasojat e rënda që ajo mund të lërë mbi fëmijët dhe familjet e tyre.
Prokuroria ka nisur procedurë ndaj pesë të miturve dhe ka kërkuar masa mbrojtëse, me qëllim mbrojtjen e viktimave dhe parandalimin e dhunës së mëtejshme.(INA)
