Një veprim befasues, por pak i vërejtur nga publiku rajonal, ka ndodhur në Parlamentin Evropian: eurodeputetët grekë Emanuil Fragkos dhe Galatia Alexandraki, që në amandamentin e parë të një raporti zyrtar, kanë kërkuar që termi “Republika e Maqedonisë së Veriut” të zëvendësohet me “Shkup”.
Ky qëndrim vjen nga përfaqësues të shtetit grek – vendi që në vitin 2018 nënshkroi Marrëveshjen e Prespës, përmes së cilës u arrit pajtimi për ndryshimin e emrit në “Republika e Maqedonisë së Veriut”. Megjithatë, duket se edhe emri i ri kushtetues nuk është i pranueshëm për një pjesë të elitës politike greke, të cilët tani preferojnë që vendi të identifikohet vetëm me emrin e kryeqytetit – Shkup.
Kjo përpjekje kaloi pothuajse pa reagim, si në Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe në Bullgari dhe Greqi, ndonëse përbën një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj frymës dhe zbatimit të Marrëveshjes së Prespës.
Sipas autorit të artikullit në Tribuna.mk, ky është realiteti i politikës ndërkombëtare: retorika në zyrat e Brukselit nuk përputhet me ndjeshmëritë e Ballkanit, ndërsa elitat vendore vazhdojnë të heshtin për çështje thelbësore të identitetit dhe sovranitetit.(INA)