Kandidati i koalicionit Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) për Komunën e Zhelinës, Emir Sulejmani, ka ngritur një denoncim publik për zhdukjen e pajisjeve komunale të dhuruara nga Ministria e Ekologjisë informon Tetovasot.
Sipas tij, më 1 prill 2025, Ministria e Ekologjisë i ka dhuruar Komunës së Zhelinës 58 kontenjerë me kapacitet 1100 litra dhe 240 koshë për mbeturina prej 120 litrash, por asnjë prej tyre nuk gjendet sot në terren.
“As në fshatra, as nëpër shkolla, askund. Ku janë? Kush i mori? Kush përfitoi? A u shitën për interesa personale?” pyeti Sulejmani, duke e cilësuar rastin si abuzim të pastër me pasurinë publike dhe me një donacion shtetëror që i takon qytetarëve.
Ai theksoi se pas marrjes së mandatit si kryetar komune, do të kërkojë hetim të plotë për çdo kontenjer dhe për çdo person përgjegjës.
“Pas marrjes së mandatit, do të hetojmë deri në fund çdo kontenjer, çdo emër, çdo përgjegjës. Asgjë nuk do të mbetet e fshehur,” deklaroi Emir Sulejmani.Tetovasot