Eksponenti politik i koalicionit VLEN, Afan Elezi, përmes një postimi në Fejsbuk ka reaguar ndaj disa ish përfaqësuesve të afërt me sistemin e mëparshëm politik që sipas tij po përpiqen të afrohen me subjektin e ri politik, siç është VLEN.
Elezi thotë se disa “hyzmeqarë të ish sistemit të Aliut’ (duke aluduar në Arjanit Hoxhën), sot po shfaqen nëpër studio televizive, duke dhënë vlerësime politike për çdo parti, ndërsa në prapaskenë nuk lënë derë pa trokitur.
“Së fundmi, njëri prej tyre po përpiqet t’i vardiset VLEN-it, ndoshta me shpresën se do të gjejë vend për veten. Por të jemi të qartë: VLEN nuk përfaqësohet nga këso figurash. Ne besojmë në njerëz me karakter dhe me moral publik, e jo në ata që ndërrojnë ngjyrat sipas interesit personal”, thekson Elezi.
Ai shton se dera e VLEN-it është “e gjerë për njerëzit me vlera, por po aq e ngushtë për figurat destruktive që përfaqësojnë antivlera dhe mentalitetin e vjetër politik”.
Elezi postimin në Fejsbuk e mbyll me porosinë se VLEN është ndryshe dhe se “aty fillon politika me dinjitet, jo aty ku mbaron ndërgjegjja”.
