Deklaratat e fundit të Alban Krasniqit, bashkëshortit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kanë ndezur sërish debatet për gjuhën e egër dhe retorikën e ashpër që përdorin eksponentët e Vetëvendosjes kundër kundërshtarëve politikë.
Pasi LDK dorëzoi ankesë në PZAP lidhur me votat e mërgatës, Krasniqi shpërtheu me një gjuhë të paprecedentë, duke e akuzuar Lidhjen Demokratike se “e urren mërgatën njësoj si Vuçiqi shqiptarët”. Ai vazhdoi edhe më tej, duke i drejtuar mesazh drejtpërdrejt Lumir Abdixhikut dhe drejtuesve të partisë: “Lumir & Co, i keni shpallë luftë mërgatës – dijeni që i keni shpallë ngordhjen tuaj si qenie politike!”
Ky reagim i ashpër është cilësuar si një tjetër shembull i gjuhës përçarëse dhe agresive që po vjen nga radhët e Vetëvendosjes, sidomos nga eksponentë jo-zyrtarë që megjithatë kanë peshë politike brenda strukturave të partisë. Kritikat ndaj gjuhës së tillë janë shtuar, duke u konsideruar të dëmshme për debatin publik dhe për raportet me mërgatën – një nga segmentet më të rëndësishme të elektoratit kosovar.
Reagimet e tilla vetëm sa e tensionojnë klimën politike, ndërsa përçarja e ndarjet brenda skenës politike duken se po thellohen edhe më shumë.
