Bujar Bajrami ka reaguar ashpër ndaj, siç thotë ai, propagandës së orkestruar nga Latif Arifi – i njohur si “Hafija nga Strimnica e Zhelinës” – dhe zëvendësministri i Bujqësisë, Albrim Hoxha, përmes portalit VOX Struga (www.voxstruga.mk).
Sipas Bajramit, këta persona të veshur me pushtet po shpërndajnë lajme të rreme dhe “sondazhe” të fabrikuara nga një qendër të ashtuquajtur CRPC (Center for Research and Political Communication), e cila, sipas tij, nuk është kompani reale që merret me kërkime shkencore, por një faqe e regjistruar në emër të portalit informativ FOL, pronar i të cilit është Latif Arifi.
“‘Sondazhet’ e tyre janë thjesht grafikone të vizatuara për propagandë politike, pa asnjë bazë metodologjike,” shkruan Bajrami, duke shtuar se kjo praktikë është e rrezikshme, sidomos në periudha zgjedhore.
Ai e cilëson si shqetësuese faktin që Arifi, përveç se menaxhon portale informuese, mban edhe funksionin zyrtar të kordinatorit nacional për komunikim dhe media, i cili, sipas ligjit, duhet të garantojë informim të drejtë dhe të paanshëm.
Bajrami kërkon nga kryeministri Hristijan Mickoski që të ndërhyjë menjëherë për të ndaluar, siç thotë ai, “keqinformimin dhe propagandën në kundërshtim me dispozitat ligjore për funksionimin e mediave”.
Në fund, ai u bën thirrje qytetarëve të jenë vigjilentë dhe të mos bien pre e dezinformatave:
“Mos u mashtroni nga shpifësit dhe intrigantët që fshihen pas petkut të një politikani apo partiaku.”